Rënia drastike e donacioneve për Gazën, organizatat: Armëpushimi ‘nënkupton’ vetëm më pak bomba mbi kokë, jo kthim në një jetë normale

21/11/2025 22:36

Mbledhësit e fondeve për civilët palestinezë në Gaza po përballen me një rënie “katastrofike” të donacioneve që prej shpalljes së armëpushimit në tetor, duke vështirësuar ndihmën për familjet që jetojnë në strehimore të përkohshme dhe vuajnë nga uria, sëmundjet dhe kequshqyerja.

Sipas The Guardian, vullnetarët që prej dy vitesh mbledhin fonde përmes platformave të palëve të treta thonë se ndihma po pakësohet ndjeshëm.

Megan Hall, e cila menaxhon 95 fonde ndihme nga Australia dhe ka mbledhur mbi 200 mijë dollarë që nga shkurti 2024, tregon se donacionet filluan të bien në shtator dhe u përgjysmuan pas 10 tetorit. Gjatë luftës ajo siguronte rreth 5 mijë dollarë në javë, ndërsa në tetor mblodhi vetëm pak më shumë se 2 mijë dollarë.

“Rënia është katastrofike. Me armëpushimin, duket sikur bota mendon se palestinezët nuk kanë më nevojë për ndihmë,” u shpreh Hall.

Të njëjtin trend e raportojnë edhe katër organizatorë të tjerë të fondeve të ndihmës së ndërsjellë, të cilat zakonisht mbështeten te donacione të vogla të promovuara përmes rrjeteve sociale. Edhe organizatat jofitimprurëse, si Gaza Soup Kitchen, kanë parë rënie të mbështetjes, kjo e fundit raportoi një ulje prej 51% të donacioneve nga shtatori në tetor.

Situata në Gaza mbetet kritike. Sipas SARI Global, të cituar nga OBSH, mbi 70% e popullsisë – rreth 1.9 milionë njerëz, jeton në zona të pambrojtura ndaj shirave, erërave të forta dhe dallgëve, pa infrastrukturë funksionale.

OCHA thekson se bujqësia, bagëtia dhe sistemi shëndetësor janë thuajse të shkatërruara, ndërsa zhvendosjet e vazhdueshme për dy vite kanë shteruar plotësisht mekanizmat e përballimit të popullsisë.

“Armëpushimi nënkupton vetëm më pak bomba mbi kokë, jo kthim në një jetë normale,” deklaroi një zëdhënës i OCHA-s.

Edhe organizata të mëdha si Oxfam dhe Save the Children UK raportojnë rënie të donacioneve, ndërsa hyrja e ndihmave mbetet e kufizuar pasi vetëm tre nga shtatë pikëkalimet kufitare janë të hapura.

Për familjet që mbështeten te fondet e ndihmës së ndërsjellë, situata është dramatike. Ahmed al-Deeb, 28 vjeç nga Gaza City, jeton me 14 anëtarë të familjes falë një fondi që ka mbledhur 6,500 dollarë. Ndërsa në shtator ndihma arriti pothuajse 3 mijë dollarë, në nëntor ra në vetëm 150. I zhvendosur disa herë, ai paguan qira për një tendë dhe tani kërkon një apartament të dëmtuar, të cilin nuk mund ta përballojë.

“Nëse nuk paguaj, pronari do të na nxjerrë jashtë,” thotë ai, ndërsa tregon se familja mbijeton kryesisht me thjerrëza dhe makarona, pa marrë ndihmë humanitare prej tetë muajsh.

Organizatorët e fondeve besojnë se rënia e dhurimeve lidhet me perceptimin e gabuar se vuajtjet kanë përfunduar, por edhe me shterimin e burimeve të aktivistëve, vështirësitë ekonomike globale dhe kufizimet e algoritmeve të rrjeteve sociale ndaj përmbajtjes pro-palestineze.

Ndërsa dimri po afron, 2 milionë njerëz në Gaza përballen me një të ardhme të pasigurt, shumë prej tyre në rrezik të mbeten pa strehë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta