Sherr mes kushërinjve në Kukës, dy vëllezër shpallen në kërkim pasi dhunuan familjarët
Prurjet e larta të lumit Vjosë gjatë natës kanë shkaktuar rritje të konsiderueshme të nivelit të ujit në fshatin Ferras të bashkisë Fier, duke përmbytur 21 banesa.
Sipas banorëve, dëmet janë të shumta: sipërfaqe të mëdha me ullinj janë nën ujë, shpendë janë rrëmbyer nga vërshimi, ndërsa rezerva ushqimore për bagëtinë është dëmtuar.
Banorët, të trembur nga dalja e mundshme e lumit nga shtrati, kanë marrë masa emergjente për të mbrojtur familjet dhe pasurinë e tyre. Megjithatë, shumica prej tyre nuk i janë përgjigjur thirrjes së autoriteteve për evakuim, pavarësisht monitorimit të situatës nga strukturat përkatëse gjatë gjithë natës.
Kryeplaku i Ferrasit, Zani Hyka, tha se 19 prej banesave të prekura janë të banueshme, por ndodhen brenda argjinaturës së lumit, çka e bën prezencën e ujit të pashmangshme në situata të tilla.
Edhe pse niveli i Vjosës ka nisur të bjerë gradualisht, banorët mbeten të shqetësuar dhe në alarm, duke kujtuar përmbytjet e viteve të shkuara. Sipas tyre, lumi Vjosë nuk kishte dalë nga shtrati prej disa vitesh, ndaj kjo situatë i ka gjetur të papërgatitur dhe me frikën se reshje të tjera mund të përkeqësojnë gjendjen.
Autoritetet lokale vijojnë monitorimin e situatës dhe u bëjnë thirrje banorëve të ndjekin udhëzimet e ekipeve të emergjencës për sigurinë e tyre.
Top Channel