Një aktor që po interpreton një roli në skenën e teatrit shtanget kur një Komisar kërkon të arrestojë. Një teatër brenda teatrit është vepra “Komisar Daltoniko”, që nis sonte si premierë absolute në Teatrin Metropol.
“Është një tekst i një autori Italian, e cila na përfshiu në emocionet e veta, në bukurinë dhe të papriturat e veta. Na përfshiu dhe ne ia dolëm të krijojmë disa figura artistike që jam i bindur publiku do t’i pëlqejë”, u shpreh Bujar Aqeriu.
Vepra ndërthur komedinë, sarkazmën, ironinë dhe groteskun. Përmes absurdit, reflektohet e përditshmja jonë.
Adelina Muça u shpreh se “Nuk sjellë vetëm problematikat e artistëve, por sjell porblematikat e gjithsecilit. Shpesh herë, në detyrat që Naseri më ka dhënë, kamë ndjerë thellë brenda vetes ç’ do të thotë të uuresh, të jesh viktimë e urrejtjes, viktimë e një mekanizmi që nuk funksionon si duhet”.
“Është një qasje e autorit dhe regjisorit që nxjerr problemet e individit, jo vetëm si individ, por si shoqëri për problemet socio-ekonomike dhe raporti i këtij profesioni me gjërat që ndodhin në përditshmëri”, tha Marjus Dhrami.
Ishte regjisori Naun Shundi që nisi punën për të sjellë para publikut këtë komedi të konceptuar në një format modern. Sot në nder të tij, kjo shfaqje vjen nën regjinë e Naser Shatrollit.
“Është format që futet në konturet e teatrit paradoksal, absurdi është kudo prezent në këtë rrjetën e madhe që ndërtohet gradualisht dhe vetë artistët e shndërrojnë në një burg ose paraburgim të vetvetes”, tha Naser Shatrolli, regjisor.
Edhe skenografia është një personazh më vete në këtë shfaqje.
“Është një skenografi sa e thjeshtë në dukje, aq edhe konceptuale, për vetë faktin që vepra flet në koncept. Ngre problemet e institucioneve, të atij njeriu që vishet me kostum dhe pengon artin”, u shpreh Sara Doda, skenografe.
Komisar Daltoniko fton publikun në Teatrin Metropol nga data 21-23 nëntor.
Top Channel