Shkresat zyrtare tregojnë se SPAK dhe më pas Gjykata vendosi pezullimin nga detyra të zëvendës kryeministres Belinda Balluku, duke u mbështetur tek dyshimet se për shkak të funksioneve që ka, mund të vështirësojë mbledhjen e provave.
Siç raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, të njëjtin arsyetim gjykata ndjek edhe për dy zyrtarët e tjerë Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, ndaj të cilëve u aplikua arresti shtëpiak.
Për zëvendëskryeministren e marrë e pandehur prej 31 tetorit për shkelje të barazisë në tendera, gjykata ka urdhëruar dy masa të njëkohëshme që përfshijnë pezullimi nga detyra dhe ndalimin për të dalë jashtë vendit. Si rrethanë përdoret fakti që është kryefamiljare dhe nënë.
Të shtunën , funksionarja e lartë dhe deputetja Belinda Balluku del para gjyqtarit të Posaçëm, që me dyer të mbyllura verifikon kushtet dhe rrethanat mbi të cilat e pezulloi nga detyra si zv. kryeministre dhe si ministre.
“Më parë bëhet verifikimi, pastaj apelimi, sepse ka një kohë te vendosur ku njoftohet subjekti pastaj institucioni ku punon. Në rastin konkret është njoftuar edhe kryeministri si përgjegjës për marrëdhënien e punës”, tha avokati Sokol Hazizaj.
Ndërsa zyrtarja e dyshuar duhet të jetë personalisht në Gjykatën antikorrupsion , ku vetë apo përmes avokatit do të kundërshtojë masat, guri i shahut të të dyja palëve do jetë neni 242 i kodit të procedurës penale. Për SPAK-un dhe më pas gjykatës përmes këtij neni, gjyqtari ka të drejtë të ndalojë përkohësisht të pandehurin plotësisht apo pjesërisht që të ushtrojë veprimtarinë që lidhet me detyrën.
Dhe kur pika e dytë e nenit thotë se kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral, fakti që e pandehura është edhe deputete pra e votuar, pritet të jetë karta e hapur e Ballukut.
SPAK i parapriu debateve një ditë më parë kur njoftoi se pezullimi ka ndodhur vetëm për dy funksione, për atë të zv. kryeministres dhe të ministres
Por përveçse një dosje SPAK , rasti balluku është njëherazi edhe një çështje politike. Dhe pyetja e parë është kush e zbaton vendimin e gjykatës për pezullim për sa kohë SPAK e konsideron të zbatuar vendimin?
“Kryeministri e bën. Nxjerr një urdhër administrativ derisa çmohet se duhet të jetë koha e zbatimit të vendimit”.
Dhe kur rruga do të jetë e gjatë, nga njëra anë me hetime që në dosje kuptohet se janë hapur edhe prokurime të tjera, nga ana tjetër politika, Ballukut I duhet të ndjekë stacionet e gjyqësorit sipas shkallëve
“Ajo duhet të kalojë nga shkalla e parë apeli pastaj kushtetuese, por kushtetueses mund ti drejtohen grupet parlamentare”, deklaron Sokol Mëngjesi.
Dhe hapin e parë e ka hedhur këshilli i ministrave që kërkon nga kushtetuesja të shikojë a u ndërhy apo jo nga SPAK dhe gjykata në kompetencat e kryeministrit për të pezulluar një ministër dhe zv.kryeministër.
Pjesë nga vendimi
Gjykata vlerëson se, në rastin konkret ekziston rreziku i largimit të të pandehurve të sipërcituar, nisur nga sanksioni dhe marzhi i lartë që parashikon ligji për veprën penale që ata dyshohen, konkretisht nga një deri në pesë vjet burgim për veprën penale të parashikuar nga neni 258 i K.Penal, duke marrë parasysh rrethanën se të pandehurit dyshohen për këtë vepër penale të kryer dy herë dhe në bashkëpunim.
Gjykata vlerëson se, në rastin konkret për shkak të rrethanave të faktit dhe personalitetit të të pandehurve të sipërcituar, duke qenë në ushtrim e funksioneve respektive të tyre për shkak të detyrës, ekziston rreziku që ata të kryejnë krime të të njëjtit lloj me atë për të cilin po procedohet, kjo lidhur me rrethanat e veprimeve të kundërligjshme të të pandehurve në disa procedura prokurimi, si dhe nisur nga fakti se të pandehurit menaxhojnë në vazhdim fondet publike për investimet publike të tjera të parashikuara për Institucionet Qendrore që ata drejtojnë.
“1. Në caktimin e masave të sigurimit gjykata mban parasysh përshtatshmërinë e secilës prej tyre me shkallën e nevojave të sigurimit që duhen marrë në rastin konkret.
Top Channel