Vizita dy ditore e Dumanit në Bruksel/ Ambasadori Gonzato: BE, mbështetëse e fortë e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit

20/11/2025 16:58

Kreu i SPAK Altin Dumani, ka zhvilluar një vizitë dyditore në Bruksel, ku u takua me zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian nga DG NEAR, OLAF, DG JUST dhe kabinetet e komisionerëve për Zgjerimin dhe Punët e Brendshme.

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, u shpreh se BE vijon mbështetjen e fortë për SPAK-un dhe rëndësinë e vazhdimit të rezultateve të tij edhe në vitet e ardhshme, veçanërisht pas vitit 2026.

“Vizitë shumë e mirë dyditore në Bruksel e Kryeprokurorit të Posaçëm të Shqipërisë, Altin Dumani, i cili u takua me zyrtarë të lartë të BE-së: Gert Jan Koopman, Drejtor i Përgjithshëm i DG NEAR; Salla Saastamoinen, Drejtoreshë në detyrë e Përgjithshme në OLAF; Irena Moozová, Zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme e DG JUST; Marko Makovec, Shef i Kabinetit të Komisioneres për Zgjerimin Marta Kos dhe Alexander Winterstein, Shef i Kabinetit të Komisionerit për Punët e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner.

Vizita dëshmon për arritjet e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Të gjithë bashkëbiseduesit vlerësuan forcën, qëndrueshmërinë dhe besueshmërinë e SPAK-ut, si dhe bashkëpunimin e tij të ngushtë me agjencitë e BE-së, vendet anëtare dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

Ambasadori Silvio Gonzato: “BE-ja ka qenë dhe do të mbetet një mbështetëse e fortë e SPAK-ut në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit të nivelit të lartë dhe mashtrimit, si dhe në mbrojtjen e interesave financiare të BE-së. Ruajtja e rezultateve solide të SPAK-ut edhe nën drejtimin e tij të ri në vitin 2026 e më tej do të jetë kyçe për vazhdimin e progresit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Kjo është e rëndësishme për sigurinë e Shqipërisë dhe të BE-së dhe për forcimin e sundimit të ligjit. SPAK-u nuk mund ta bëjë këtë i vetëm. Edhe institucionet e tjera shqiptare duhet të bëjnë pjesën e tyre”, thuhet në reagimin e delegacionit të BE në Shqipëri.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta