Situata e rënduar nga reshjet ka sjellë vërshim të ujit në përroin që kalon përmes fshatit Kamenicë të Korçës duke u shoqëruar me rrezik të shtuar për banesat.
Sipas banorëve cilësia e dobët e skarpatës ka bërë që një pjesë e saj të shkëputet dhe uji të drejtohet drejt banesave.
“Siç e shikoni, lumi ka gërryer skarpatat të cilat nuk kanë një vit që janë betonuar që presupozohet që i bënë këta me 5 cm beton. Kanë plasur pllakat tek ura dhe na i kthen ujin në shtëpi. Jemi të rrezikuar! Kanë bllokuar rrugën, kanë vendosur dhe shirita mos kaloni, ne kemi të sëmurë në shtëpi. Rrezikohen të gjitha banesat, ja biznesi që është këtu afër i ka hyrë i gjithë uji brenda. I gjithë fshati këtu është, anës lumit. Thonë që është nën kontroll çdo gjë ku në fakt nuk është.
Është rritur niveli i ujit, hera e parë që na ndodhin nga këto gjëra. Tani ky rregullimi tek lumi këtu u bë nga taksat tona dhe shih në çfarë gjendje është.
Kemi frikë se do na prishen ca kemi në shtëpi. Edhe herë të tjera ka rënë shi, por nuk është bërë kështu, se ndodh kjo për shkak se këputen pllakat zënë urën dhe uji hidhet jashtë pranë banesave”, është shprehu Ramadan Bezati.
“Situata është shumë e rënduar ka përmbytje, ka dy ditë që rrimë të gjithë bashkë jashtë dhe po hyn uji në shtëpitë tona. Siç e shihni dhe vetë si është. Na frikëson kjo situatë dhe po rrimë gjithë natën pa gjumë. Nuk është bërë punë e mirë në ndërtimin e skarpatës. Duhet të bëhet siç duhet kjo punë.
Për momentin banesa të përmbytura nuk ka, por tendenca është që do hy ujë. Në lokale ka hyrë uji. Po vazhdoi deri në mëngjes shiu do hyjë në banesa. Ne po rrimë të gjithë fshati jashtë banesave siç e shihni. Kjo situatë ka ardhur nga lumi (skarpata) që nuk është ndërtuar mirë. Po të ishte bërë mirë investimi nuk do ishte bllokuar lumi. Nuk është pastruar asnjëherë lumi në 30 vjet. E parkojnë skavatorin sa bëjnë foto dhe nuk pastrojnë lumin”, thotë Altin Aliu.
Top Channel