Regjisori Blenard Azizaj u rikthye në Tiranë për të sjellë këtë mes nëntori në Teatrin Eksperimental një shfaqje aspak të zakontë.
Shfaqja në Teatrin Eksperimental surprizoi publikun, që u ngjit në skenë, duke u bërë pjesë e interpretimit të artistëve.
“Doja që edhe audienca të ishte pjesë e skenës, pa e kuptuar, ata lëvizin, kërcejnë. E kam pasur gjithnjë dëshirë që audienca të ishte në skenë dhe artistët te karriget”, shprehet regjisori Azizaj.
Në shfaqjet e mia mundohem mos ta drejtoj audiencën ku të shohë, por të zgjedhë vetë kë të shohë dhe të ndjejë.
“Mbi fjalë” ndërthur elementë të folkut shqiptar me dancin kontemporan dhe muzikën elektronike. Sa herë vij në Shqipëri kam shumë emocione dhe dua të vij me projekte të tjera.
“Janë edhe kujtimet e mia si fëmijë, ai brumi aty në fillim me poezinë e Dritëroit më kujtojnë nënën kur isha i vogël dhe ajo përgatiste bukën. Nëna tani është në një moment të vështirë shëndetësor dhe unë doja që këto emocione t’i lidhja në skenë”, shton Azizaj.
Shfaqja u vu në skenë në bashkëpunim me Teatrin e Operave dhe Baletit dhe Universitetin e Arteve. Interpretimi i Rafael Hoxhës dhe Nina Muhos me element poetike nga Agolli e Migjeni mbajti mbërthyer audiencën gjatë gjithë mbrëmjes.
“Për mua ishte hera e parë që të bashkëpunoja me një trup baleti, që nëpërmjet artit kontemporan të gërshetuar me elemente të traditës, qoftë në veshje apo qoftë edhe në mënyrën se si e kanë sjellë koreografinë. Është një nga shfaqjet më të veçanta ku unë kam performuar. Është hera e parë që e shoh nga afër publikun të bëhet pjesë e artistëve”, thotë soprano Nina Muho.
Qëllimi i këtij projekti, që regjisori synon ta rikthejë në data të tjera në teatër ka për qëllim të promovojë trashëgiminë kulturore shqiptare në një formë të re dhe tërheqëse.
Top Channel