SPAK njoftim zyrtar për Belinda Ballukun: Z.kryeministrja dhe vartësit përcaktuan fituesit e tenderave në tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe

20/11/2025 18:10

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar reagoi zyrtarisht dhe konfirmoi dy masat e sigurimit që vendosi Gjykata e Posaçme ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

SPAK sqaron shkeljet e numrit dy të qeverisë në procedurat e prokurimit të tunelit të Llogarasë.

“Në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, të zhvilluar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, deri në këtë fazë të hetimeve, janë evidentuar veprime të kundraligjshme të të pandehurës Belinda Balluku. E pandehura Belinda Balluku, në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të pandehurit; Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, kanë paracaktuar fituesin e kësaj procedure prokurimi, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë fitues”.

Po ashtu, sipas hetimeve të SPAK janë zbuluar shkelje nga zëvendëskryeministrja në procedurat e tenderimit edhe në projektin e Unazës së Jashtme të Tiranës.

“Sa i takon procedurës së prokurimit me objekt, “Ndërtimi i  Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”, ka rezultuar se e pandehura  Belinda Balluku, në bashkëpunim me të pandehurin Evis Berberi, anëtarët e Njësisë së Prokurimit dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, kanë paracaktuar fituesin e kësaj procedure prokurimi, krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e disa operatorëve ekonomikë”.

Në të dyja këto raste, sqaron Prokuroria e Posaçme, janë evidentuar veprime në kundërshtim me ligjin “Për Prokurimin Publik”, “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, dhe ligjin “Për Parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta