Sistemi gjyqësor shqiptar po përballet me një krizë të thellë funksionimi, ku mungesa e gjyqtarëve dhe ngarkesa e jashtëzakonshme me dosje ka çuar në vonesa të papranueshme në gjykimin e çështjeve civile dhe penale.
Situata është veçanërisht e rëndë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, ku ende nuk janë gjykuar dosje të vitit 2017 dhe 2018, dhe afati ligjor 2-vjeçar për përfundimin e proceseve nuk po respektohet.
Një rast tipik i këtij kolapsi është ai i një gruaje nga Fieri, e cila prej më shumë se 4 vitesh nuk po arrin të përfundojë divorcin, pavarësisht se jeton me partner të ri dhe është 6 muajshe shtatzënë. Për shkak të vonesave në gjykim, fëmija që ajo pret rrezikon të marrë automatikisht mbiemrin e bashkëshortit të parë—situatë që do t’i krijojë probleme të rënda administrative dhe ligjore.
Zonja, e cila pranoi të flasë vetëm me kurriz për Fiks Fare, tregon se pas shumë vështirësive, ajo e fitoi divorcin në Gjykatën e Shkallës së Parë në Fier. Por bashkëshorti i parë e ankimoi vendimin në Gjykatën e Apelit Tiranë, vetëm për çështjen e kujdestarisë së fëmijëve. Që atëherë kanë kaluar më shumë se dy vite, pa u zhvilluar asnjë seancë gjyqësore dhe pa u thirrur asnjëherë nga gjykata.
Ndërkohë, situata ka ndryshuar edhe për fëmijët: njërin prej tyre tashmë është 18 vjeç dhe nuk është më objekt i kujdestarisë, por procesi ka mbetur i bllokuar.
Fiks Fare kërkoi informacion zyrtar nga Gjykata e Apelit. Në përgjigjen e saj, gjykata konfirmoi se “ Dosja e zonjës është regjistruar më 24 mars 2023.Relatore është caktuar gjyqtarja Elona Mihali. Mosshqyrtimi i çështjes për 2 vite radhazi vjen nga fakti që gjykata respekton radhën e regjistrimit të dosjeve. Ku aktualisht janë në pritje çështje të regjistruara që prej 2017–2018, çka e bën të pamundur respektimin e afatit ligjor 2-vjeçar.Vetëm në raste me kërkesë për përshpejtim, gjykohet jashtë radhës”
Gjykata pranoi se ngërçi vjen nga numri i ulët i gjyqtarëve, ku nga 78 gjyqtarë që parashikon organika, vetëm 32 janë aktivë.
Situata është edhe më dramatike për shkak të volumit të dosjeve. Gjithsej janë 45,375 çështje të regjistruara, nga të cilat 29,000 civile dhe 15,900 penale.
Edhe pse zonja ka paraqitur disa herë kërkesë për përshpejtim të procedurës, reagimi i gjykatës erdhi vetëm pasi Fiks Fare u interesua zyrtarisht. Pas komunikimit me redaksinë, më 3 nëntor 2025, trupi gjykues vendosi që çështja e saj të kalojë për shqyrtim në seancën e datës 3 dhjetor 2025.
Zonja thotë se është e dëshpëruar dhe e frikësuar për pasojat që mund të sjellë lindja e fëmijës pa zgjidhur divorcin, pasi procedurat ligjore që lidhen me mbiemrin e fëmijës dhe njohjen e atësisë mund të komplikohen rëndë.
Top Channel