Një thesar me 452 vepra me shkrime të shenjta është ekspozuar në Bibliotekën Kombëtare, një udhëtim i rrallë në botën dorëshkrimeve që kanë shënuar shekuj kulture.
“Është një koleksion i rëndësishëm, me mjaft vlerë, pjesë e trashëgimisë sonë, i ndarë në dy pjesë”, u shpreh Piro Misha.
Të gjitha botime janë origjinale, duke nisur me 8 botime të viteve 1400, shtypur me incunabula, para shpikjes së shtypshkronjës. Një pjesë e madhe e veprave janë shtypur në Romë dhe Venecia, të tjera në Francë, Holandë, Belgjikë, Gjermani Greqi Bullgari. Bibla e Martin Luterit, një botim me shumë rëndësi në histori zë një vend të veçantë në ekspozitë.
Nga thesaret e bibliotekës, zbulohet një bibël e rrallë e 1827 e shtypur në Paris që mban vulën e Bibliotekës së Bushatllinjve.
“Përkthimi i biblës, kur shqipja ende nuk kishte një alfabet, ishte gjë e jashtëzakonshme, qoftë për t’i treguar botës që shqipja ka kapacitete të përkthejë edhe gjërat më të rëndësishme të qytetërimit, por edhe në nivelin praktik, sepse u hap rruga që në kishat shqiptare, meshat dhe shërbesat të bëheshin në gjuhën shqipe”, tha Misha.
Pjesa e dytë i kushtohet përkthimit të shkrimeve të shenjta në shqip, me veprat e Buzukut, Bogdanit dhe Budit dhe më pas botime të shekullit XIX, ku morën pjesë disa prej figurave më të ndritura të Rilindjes.
“Bibla e parë ishte nga Vangjel Meksi, e botuar në Korfuz, pastaj filloi me radhë në sajë edhe të Shoqatës Biblike Angleze, që i ndihmoi, me Kristoforidhin e me radhë. Është një rrugëtim shumë interesant me shumë vështirësi dhe të papritura, por është rrugëtimi i emancipimit kombëtar”, u shpreh Piro Misha.
Vlera e këtyre Biblave duken që në kopertinat e dhendura, bërë me punë artizanale me metale të çmuara. Koleksioni i biblave do të qëndrojë i hapur për publikun për një muaj.
Top Channel