Dëbimi i 700 familjeve shqiptare nga Anglia/ Replika e Ramës me ministren e Brendshme britanike, ‘The Guardian’: Rriten tensionet mes Tiranës dhe Londrës

20/11/2025 10:34

Media britanike ‘The Guardian’ i ka bërë jehonë përgjigjes së kryeministrit Edi Rama për ministren e Brendshme të Anglisë, pas planit për dëbimin e 700 familjeve shqiptare.

Polemika është ndezur në Londër, ndërsa në qendër të debatit gjendet politika e re e Qeverisë Laburiste për largimin me forcë të familjeve që kanë dështuar në kërkesat për azil.

Sekretari britanik i Shëndetësisë, Wes Streeting, ka pranuar se nuk ndihet aspak “rehat” me politikën e deportimit, por këmbënguli se “është gjëja e duhur për vendin”. Ai sqaroi se modeli që po zbatohet është i ngjashëm me atë të Danimarkës dhe se qeveria pret që numri i dëbimeve me forcë të jetë i ulët, pasi stimulimet financiare mund t’i nxisin migrantët të kthehen vullnetarisht në vendin e origjinës.

Në një intervistë për LBC, Streeting tha se ministrja e Brendshme Shabana Mahmood po sigurohet që personat që nuk kanë të drejtë qëndrimi të largohen, duke shtuar se qëllimi është mbështetja e zhvendosjes dhe jo masa të dhunshme: “Numri i largimeve me forcë duhet të jetë i ulët,” theksoi ai.

Por pikërisht për këtë politikë, Rama ka reaguar ashpër, duke akuzuar Mahmood për “stereotipizim etnik” ndaj shqiptarëve, shkruan The Guardian. Ai kritikoi faktin që zyrtarët britanikë kanë veçuar posaçërisht 700 familje shqiptare, duke e quajtur një sjellje të papranueshme për një qeveri laburiste.

Në reagimin e tij në platformën X, Rama u shpreh: “Si mundet një sekretar i brendshëm laburist të bëjë jehonë të djathtës ekstreme populiste dhe të veçojë 700 familje shqiptare, një pikë statistikore në oqeanin e sfidave të Brexit-it?”

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se shqiptarët janë kontribues neto në ekonominë britanike dhe se shënjestrimi i tyre i ekspozon ndaj rreziqeve, përfshirë edhe ato nga grupet ekstremiste që ushqehen me narrativa të tilla.

Reagimi i tij ka shkaktuar shqetësim edhe në Whitehall, ku zyrtarët e sigurisë e shohin Ballkanin Perëndimor si një zonë kyçe tranziti për azilkërkuesit dhe grupet e kontrabandës që synojnë Mbretërinë e Bashkuar. Kjo vjen pasi oficerë britanikë të kufirit janë vendosur gjatë verës në Shqipëri, Serbi, Mal të Zi, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinë për të monitoruar rrjetet e trafikut.

Ndërkohë, presioni mbi qeverinë laburiste po rritet nga brenda. Dhjetëra deputetë laburistë kanë ngritur shqetësime mbi dëbimin e familjeve, duke paralajmëruar një revoltë të mundshme kundër udhëheqjes së Keir Starmer.

Megjithë kritikat, Mahood mbetet e vendosur, ku shprehet “Ne duhet të largojmë ata që kanë dështuar në kërkesat për azil, pavarësisht se kush janë. Edhe familjet.”

Ndërsa tensionet mes Tiranës dhe Londrës rriten, politika e re e azilit që synon familjet shqiptare po shndërrohet në një nga çështjet më të debatueshme të qeverisë së re britanike.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta