Situata në qarkun e Vlorës, prefektja: Delvina me probleme nga reshjet, monitorim i vazhdueshëm i Vjosës

19/11/2025 12:27

Situata e krijuar nga reshjet intensive të ditëve të fundit ka sjellë një sërë problematikash në qarkun e Vlorës.

Aktualisht, nën monitorim të vazhdueshëm mbetet zona pranë urës së Mifolit në Novoselë, një nga pikat më shqetësuese për shkak të rrezikut të daljes së lumit Vjosë nga shtrati.

Prefektja e Vlorës, Evis Allushi, ka deklaruar se problematikat më të mëdha janë regjistruar në Delvinë dhe Finiq, ndërsa fatmirësisht në bashkinë Vlorë nuk janë shënuar probleme. Dalja e lumit të Kalasës ka shkaktuar bllokime të akseve rrugore në Delvinë dhe Finiq, ku ka pasur edhe depozitim inertesh në rrugë. Në Delvinë janë evakuuar tre banesa, ndërsa në rrugët që kanë qenë të bllokuara është ndërhyrë për normalizimin e situatës.

Lidhur me situatën në Novoselë, prefektja Allushi ka bërë të ditur se niveli i lumit ka arritur deri në 5 metra, ndërsa po mbahet kontakt i vazhdueshëm me strukturat përkatëse dhe monitorohet situata edhe në zonën e Gjirokastrës, si dhe në të gjitha pikat e tjera problematike që lidhen me prurjet e Vjosës. Banorët janë njoftuar të marrin masat e nevojshme.

Situata pranë urës së Mifolit vijon të jetë nën vëzhgim, ndërsa prurjet e lumit Vjosë mbeten të larta. Autoritetet janë në kontakt të vazhdueshëm, me qëllim që, nëse arrihet në pikën kritike, të merren masat e menjëhershme, deri edhe në evakuimin e banorëve, nëse kjo do të jetë e nevojshme.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta