Reshjet e dendura të shiut shkaktojnë probleme në Kukës, qindra familje të izoluara nga dëmtimet në rrugë

19/11/2025 09:30

Reshjet e dendura të shiut gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar një sërë problemesh serioze në rrugët rurale të qarkut Kukës, duke lënë qindra banorë të izoluar.

Sipas raportimeve nga terreni, shumë akse rurale janë dëmtuar rëndë, ndërsa në disa prej tyre ka prani gurësh dhe dherash që kanë bllokuar qarkullimin. Më e goditura mbetet Njësia Administrative Zapod, ku bllokimi i rrugëve kryesore ka krijuar vështirësi të mëdha në lëvizjen e banorëve.

Fshatrat Pakisht, Cërnalevë, Orgjost, Zapod dhe Kolosh vijojnë të jenë të bllokuar për shkak të dëmtimeve të infrastrukturës rrugore. Ndërkohë, probleme të ngjashme raportohen edhe në fshatrat Bele, Lojme, Nimç, Turaj, Xhferaj dhe Borje të njësive Topojan dhe Shishtavec.

Banorët shprehen se deri më tani nuk është ndërhyrë nga Bashkia Kukës për pastrimin e dherave dhe gurëve që kanë zënë rrugët, duke i lënë komunitetet të përballen të vetme me situatën e rënduar. Disa prej tyre janë detyruar të rrezikojnë jetën duke lëvizur me mjetet e tyre në rrugë të paasfaltuara dhe të rrezikshme.

Probleme ka dhe në njësinë administrative Ujmisht. Rruga është bllokuar, ndërsa mësohet se nuk ka asnjë mjet të bashkisë për largimin e inerteve.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta