Hetimet për 21 janarin/ Berisha del nga SPAK pas dy orësh: Asnjë urdhër nuk është dhënë për të qëlluar ndaj protestuesëve

19/11/2025 11:04

Mbas dhjetëra qëndrimeve politike që ka mbajtur ndër vite, Sali Berisha foli para prokurorisë së posaçme për 21 janarin 2011.

Berisha u pyet për dy orë si deklarues mbi hetimin e SPAK që mbahet I hapur pa emra konkretë të dyshuarish

“Absolutisht asnjë urdhër. Asnjë urdhër nuk është dhënë për të qëlluar. Asnjë urdhër dhe kurrë. Nuk mund të jepet urdhër”, tha Berisha.

Zbrazja e plumbave që vranë protestuesit Ziver Veizi, Faik Myrtajn, Aleks Nikën dhe Hekuran Dedën u cilësua si krim shtetëror nga Strasburgu dhe për këtë ish-kryeministri nuk ka asnjë kundërshtim. Megjithëse shton një “por”.

“Garda ka një ligj që autorizon rojën të qëllojë sa herë dikush e kërcënon me ndonjë objekt ose ndonjë gjë tjetër”, shprehet kreu i opozitës.

Berisha ka dëshmuar edhe momentet kur kryeministria u sulmua dhe dy funksionarë trokitën në zyrë

“Po, Basha ka ardhur në zyrën time dhe ka kërkuar nga unë, sepse ishin thyer xhamat me plumba apo me gurë, tek dritarja ngjitur me tavolinën time dhe ministri, komandanti i Gardës kanë ardhur dhe më kanë thënë të evakuojmë, jo i thashë. Sepse unë isha jashtë me ambasadoren gjermane dhe u futa drejt e në zyrë. Unë isha në detyrë”, u shpreh ish-kryeministri.

Përgjigjja tjetër është ajo e misterit disa vjeçar të syrit të nxirë të ish komandantit Ndrea Prendi, dënuar më vonë nga një gjykatë tjetër për 21 janarin

“Ndrea Prendi ka qenë në krye të detyrës gjatë gjithë ditës dhe në vlerësimin tim, ai ka bërë të pamundurën që të përmbushë detyrimet ligjore të tij”, u shpreh Berisha.

Por teksa ish funksionarë të kohës si drejtues policie deri tek ministri I brendshëm Lulzim Basha i kanë dhënë përgjigjet e tyre në SPAK  dhe më pas kanë ruajtur hetimin para medias, kreu I qeverisë së atëhershme nuk ka më sekrete për 21 janarin

“Nuk më ballafaquan me dëshmi të tjera, e vetmja gjë që më pyet, Bamir Topi pjesë e skenarit paska shkruar në librin e tij se Lulzim Basha e ka takuar të nesërmen, që të ndërhynte te Ina Rama për të zbutur masën ndaj oficerëve të Gardës. Ishte e pamundur që unë të dërgoja njeri te Bamir Topi, i cili priste të rimerrte mandatin nga Rama. Por Basha nuk e kishte të ndaluar, s’kishte asnjë direktivë që të mos fliste me Topin”, tha kryedemokrati.

Duke sjellë nga e kaluara e 21 janarit emra me të cilës u përplas si ai i Ina Ramës prokurore e përgjithshme, ndërkombëtarët dhe aktorë të tjerë, Berisha në të sotmen ka rezerva për vazhdimësinë e hetimeve.

“SPAK-u është një repart i PS kundër opozitës.Ta pret mendja ty që guxon SPAK-un të gozhdojë Edi Ramën për aktin më të dhunshëm në histori?”, u shpreh Berisha.

Në prag të 15 viteve, ka ende shumë të panjohura, më kryesorja drejtësia nuk ka gjetur ende se kush qëlloi mbi Hekuran Dedën dhe Aleks Nikën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB