Inside Story/ “Sjellje e mirë dhe rehabilitim”, dokumentet fiktive të burgut që ulën dënimin për të fortin e Vlorës
Drejtësia, nuk ka si qëllim bazë ndëshkimin e personave që kryejnë krime, kryesorja është rehabilitimi dhe riintegrimi i tyre në shoqëri. Një nga mekanizmat e parashikuar nga Kodi Penal dhe ai i Procedurës Penale është “Lirimi me Kusht”, i cili supozohet të jetë një instrument i përdorur për të shpërblyer sjelljen e mirë dhe rehabilitimin real të një të burgosuri.
Në teori, një i dënuar që ka shlyer një pjesë të dënimit dhe ka treguar përmirësim në sjellje, mund të lirohet nën mbikëqyrje për të vazhduar jetën si qytetar i rregullt. Ky hap hidhet në momentin që vërtetohet se dënimi e ka arritur qëllimin rehabilitues dhe autori veprës penale nuk ka ide kriminale.
“Çdo sistem drejtësie veçanërisht kur verifikon që subjekti të jetë rehabilituar në aspektin e mbërritjes, të qëllimeve të dënimit siç është korrigjimi i tij si njeri dhe qëllim i kthimit të tij i shëndetshëm në shoqëri dhe pa prirjen e realizimit të një vepre penale të caktuar dhe tek kjo është arritur dhe provohet si e tillë nga autoritet e vuajtjes së dënimit që mbikëqyri periudhën e subjektit kur duhet të jetë i kufizuar pse jo të jepet mundësia e daljes dhe hyrjes në shoqëri i korrigjuar më herët se sa ishte verdiktuar nga gjykata”, u shpreh avokati Ardian Visha.
“Dhe nëse këto sjellje janë rigoroze dhe ky ka pasur përmirësime në te gjitha mendimet e veta atëherë edhe mund të aplikohet lirimi para kohe me kusht”, u shpreh Bledar Meminaj.
Megjithatë, në realitetin shqiptar, lirimet me kusht janë transformuar në një derë të hapur për të lehtësuar daljen e eksponentëve të rëndësishëm të krimit të organizuar. Shumë prej tyre kanë përdorur një sërë mekanizmash, që nga raportet e falsifikuara mjekësore, tek manipulimi i dokumenteve dhe pagesat korruptive, për të siguruar një liri të parakohshme.
“S’mund të them a janë intimiduar a ka pasur ndërhyrje nuk e di, sigurisht që ka presion për t’u liruar se kush nuk e do lirinë, liria është gjëja më e shtrenjtë, por nga ana e stadimit të kësaj dispozite nga gjykata nuk mund të them . Di që ka pas raste që një që kanë kaluar, sepse kalojnë në apel dihet , ne nuk jemi pjesë, nuk kemi të drejtë si staf si drejtori burgjesh ankimim, kjo është një e drejtë e prokurorit”, u shpreh zv.drejtori i burgjeve, Fehmi Sufaj.
“Sfida e inspektorit është identifikimi i shkelje disiplinore të magjistratëve në raport me politikën penale që ka ndjekur Kuvendi në miratimin e akteve penale por edhe me zhvillimin dhje zbatimin e jurisprudencës së gjykatave të vendit”, u shpreh drejtuesi i ILDS Artur Metani.
Pas daljes nga burgu, këta individë të botës së krimit nuk i janë kthyer jetës normale. Përkundrazi, ata janë bërë më të fuqishëm, duke thelluar ndikimin e tyre në krimin e organizuar dhe duke përforcuar lidhjet me segmente të caktuara të politikës, drejtësisë apo institucioneve ligj zbatuese. Pra, shtegu ligjor është përdorur në mënyrë korruptive për rikthimin e të fortëve në liri dhe aktivitet kriminal.
Për këtë fakt sistemi gjyqësor shpesh ka qenë në qendër të kritikave për mënyrën se si disa të dënuar për vepra të rënda penale arrijnë të përfitojnë liri me kusht. Ligji penal shqiptar dhe akt-ekspertizat mjeko-ligjore kanë shërbyer si mekanizma që u kanë hapur rrugën disa të dënuarve VIP për të dalë nga burgu para kohe. Kjo rikthyer një debat të madh mbi drejtësinë dhe efektivitetin e sistemit penal në vend.
“Mund te ketë pasur raste që edhe pse qëndrimi i stafit ka qenë për t’u refuzuar lirimi me kusht për shkak se nuk është arritur maksimumi sipas parashikimit ligjor një sjellje apo një në aspektin rehabilitues, por ka pasur raste që gjykata edhe i ka tejkaluar këto’, u shpreh Fehmi Sufaj.
“Për mua nuk duhet te ishte me ky institucion por duhet të liberalizohet nga pikëpamja e mundësisë institucionale dhe te intensifikohet nga pikëpamja e dijeve subjekti qe duhet te marrë cilësinë e ekspertit për përcaktimin e sëmundjes”, u shpreh avokati, Ardian Visha.
Top Channel