Një derbi i veçantë për baba Leaon, debutimi i binjakëve në “San Siro”…
Aventura e re e Igli Tares te Milani ka nisur me hapa të sigurt.
Drejtori sportiv që mbërriti në fund të majit në krye të projektit kuqezi, ka arritur të rikthejë entuziazmin në ambientin milanez falë merkatos së gjerë dhe vendimeve të guximshme, duke filluar me goditjen kryesore: rikthimin e Massimiliano Allegrit në pankinë.
Nën drejtimin e trajnerit italian, Milani po rifiton identitetin dhe po synon rikthimin në Ligën e Kampionëve – madje Tare nuk e fsheh se objektivi final është Scudetto. “Do të gënjeja po të thosha se nuk dua të fitoj Scudetton. Për ta arritur, duhet të punosh në shumë detaje. Kemi bërë një revolucion të plotë: kemi sjellë 19 lojtarë dhe kemi larguar 23,” deklaroi ai gjatë Samitit të Futbollit Social.
Drejtori sportiv shtoi se Milani është në rrugën e duhur: “Kam dëshirë të fitoj trofe të mëdhenj me këtë klub të lavdishëm. Duhet të jemi të përulur. Ibra? Është gjithmonë kënaqësi ta kesh pranë.”
Si Napoli një sezon më parë, Milani këtë vit nuk merr pjesë në kupat e Europës – diçka që sipas Tares po i jep mundësinë skuadrës të ndërtojë themelet e së ardhmes. “Kemi kohë të punojmë në detaje, gjë e pamundur kur luan çdo tre ditë. Mund të përgatisim mirë të ardhmen,” theksoi ai.
Tare u ndal edhe te përvoja e tij te Lazio, të cilën dëshiron ta përcjellë te kuqezinjtë: “Atje ishim si familje, me një ndjenjë të fortë përkatësie. Dua ta sjell këtë frymë edhe te Milani. Këtë vit ka lindur një empati e madhe mes stafit, lojtarëve dhe gjithë atyre që punojnë në Milanello.”
Ai foli edhe për marrëdhënien me Allegrin: “Na bashkon një raport shumë i mirë. Flasim shpesh dhe Max transmeton emocione të forta te grupi.”
Derbi i Milanos, që do të luhet të dielën në “San Siro”, pritet të jetë një moment i veçantë për Taren. “E njoh mirë derbin e Romës, por jam kurioz ta përjetoj këtë. Kam qenë tifoz i Milanit, ndaj është shumë i veçantë. Këto ndeshje nuk luhen, por fitohen,” deklaroi ai, duke theksuar se sfida është e rëndësishme, por jo vendimtare.
Sa i përket merkatos së janarit, drejtori sportiv mbetet i rezervuar: “Nuk po mendojmë ende për afatin e dimrit. Do të jemi të vëmendshëm ndaj çdo mundësie, edhe pse nuk pres ndonjë lëvizje të madhe. Nëse del diçka e dobishme, do të jemi gati.”
Top Channel