Fiks Fare/ Dëshmorët të harruar, pushtuesit me nderime: Kontrasti tronditës i varrezave në Shqipëri

18/11/2025 20:56

Në prag të 81-vjetorit të Çlirimit, një vëzhgim i realizuar në Korçë dhe në disa qytete të tjera të vendit nxjerr në pah një kontrast të dhimbshëm: varrezat e dëshmorëve, njerëzve që dhanë jetën për Shqipërinë, janë lënë në mëshirë të fatit, ndërsa varrezat e ushtarëve të huaj janë të rregullta, të kuruara dhe të respektuara deri në detaj.

Fiksi pa nga afër varrezat e dëshmorëve në Korçë  ku shihet  qartë gjendja e mjeruar e këtij vend-prehje. Tabloja pothuajse është e njëjta kudo, pllaka të çara e të thyera. Shkallë të dëmtuara dhe trotuare që lëvizin. Emra të palexueshëm të dëshmorëve. Pra rreshta të tërë të paprekur prej dekadash.

Ironikisht, vetëm rreshtat e parë (atje ku bien më shumë në sy) janë rikonstruktuar me mermer, ndërsa pjesa tjetër është lënë e vjetruar dhe e shpërfillur. Ndërkohë, varrezat franceze në Korçë, kontrasti është goditës. Çdo kryq i mirëmbajtur, emra të qartë dhe të lexueshëm, tabela informuese në tre gjuhë e hapësira e pastër dhe e rregullt.

Pyetja lind natyrshëm: Si ka mundësi që kujdesemi më shumë për vend-prehjen e ushtarëve të huaj sesa për dëshmorët tanë?

Fiksi u interesua në Bashkinë Korçë, ku drejtori i Urbanistikës, Ndriçim Hoxha, deklaroi se “Varrezat e dëshmorëve mirëmbahen vetëm dy herë në vit, më 5 maj dhe 28 nëntor. Ka një projekt rikonstruksioni, por ende pa fond të përcaktuar dhe pa afat fillimi”.

Aktualisht fondi i përbashkët për mirëmbajtjen e varrezave është rreth 5 mijë lekë për një varr, një shumë qesharake për nivelin e dëmtimeve që kërkojnë rikonstruksion.

Edhe Mauzoleu i Dëshmorëve në Durrës paraqet probleme të ngjashme, pllaka të krisura, emra të pamundur për t’u lexuar si dhe dëmtime të shumta nga koha dhe mosmirëmbajtja.

Në lidhje me këtë gjë drejtoresha e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”, Alketa Mushketa, thotë se institucioni tregon kujdes maksimal dhe se së shpejti do të nisë rikonstruksioni i plotë, pasi marrëveshja është finalizuar. Por gjurmët e vandalizmit dhe degradimit flasin vetë.

Situata ndryshon pak në varrezat e dëshmorëve në Kuç të Vlorës ,të rikonstruktuara, por ende me probleme. Në Kuç prehen 92 dëshmorë të Kurveleshit, por edhe pse është investuar, lagështia e tepërt ka shkaktuar myk mbi disa varre. Trotuaret janë të plasaritura, në disa pllaka mungojnë tërësisht emrat. Edhe lapidari ka çarje dhe shkronja të humbura. Në këto varreza janë mbjellë palma të cilave u kanë prerë gjethet, por mbeturinat janë lënë kapicë. Në disa varre figuron vetëm shënimi “ Partizan”, pa emër, pa identitet.

Me gjithë këtë kontrast të madh, lind pyetja: Si ka mundësi që Shqipëria nderon më shumë ushtarë të huaj se bijtë dhe bijat e saj?

Ndërsa pushtuesve u vendosen tabela në tri gjuhë dhe u mirëmbahen varrezat me rigorozitet, dëshmorët e këtij vendi shpesh prehen mes plasaritjeve, mykut dhe harresës.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta