Lazarati, fshati i njohur për vite me stigmat e kultivimit të kanabisit, po përjeton një transformim të pazakontë.
Sot, banorët e tij po e rishkruajnë identitetin e komunitetit përmes një modeli të ri turizmi që mbështetet nga organizata ndërkombëtare Planeterra, e cila e ka përzgjedhur Lazaratin si një nga vetëm dy komunitetet në Shqipëri ku do të zhvillohet turizmi komunitar. Eksperienca e parë që operatorët testuan ishte një udhëtim në një nga traditat më të hershme të fshatit: përpunimin e leshit. Në punishte, vizitorët ndoqën të gjithë procesin nga hedhja e leshit, te krehja, tjerrja, lyerja organike dhe endja në tezgjah. E gjithë kjo e shoqëruar me rrëfimin e zonjës Manushaqe Toto, e cila prej vitesh mban gjallë këtë zanat.
“Kjo ka qenë punë e të parëve tanë. Ne duam ta mbajmë gjallë. Kur vijnë vizitorët dhe i shpjegojmë çdo hap, nga qethja deri te endja, e shohim që kjo traditë ka vlerë ,si për kulturën tonë, ashtu edhe për të ardhurat që mund të sjellë,”
Vizitorët provuan një tjetër pasuri të Lazaratit, gastronominë e tij. Djathi i fshatit u servir në shtatë receta tradicionale, duke sjellë në tryezë shije të ndryshme të zonës. Mes përgatitjeve dhe degustimit, Jaco Meci tregon me krenari:
“Për ne, djathi është pjesë e identitetit. Dhe kur e ndajmë me vizitorët, u tregojmë një pjesë të vetes. Kjo na ndihmon të ruajmë traditën dhe në të njëjtën kohë të fitojmë nga turizmi.”
Por kulmi i ditës ishte polifonia e Lazaratit. Në oborrin e një shtëpie tradicionale, zërat polifonikë kumbuan në harmoni, ndërsa operatorët turistikë u ftuan të bashkohen me ison. Vilson Gjini, pjesë e grupit polifonik, e përshkruan këtë traditë me emocion:
“Polifonia është historia jonë e gjallë. Këtu në fshat ka një tjetër tingull, një tjetër frymë. Kur i dëgjojmë vizitorët t’i bashkohen isos, e kuptojmë që kjo traditë ka të ardhme.”
Operatorët turistikë u shprehën të surprizuar nga autenticiteti i eksperiencave, duke theksuar se Lazarati ofron një lloj turizmi që nuk shihet shpesh në treg.
“Është një eksperiencë e pazakontë. Nuk është turizëm i zakonshëm ,është histori, punë dore, shije dhe këngë. Kjo është një ofertë që mund të prezantohet me sukses në treg.”
Me tradita që ringjallen dhe me një komunitet që bashkohet rreth një vizioni të qartë, Lazarati po sjell në treg një destinacion të ri turistik, ku e shkuara dhe e ardhmja ndërthuren për të krijuar përvoja tërësisht autentike. Një model i ri i turizmit komunitar që sjell të ardhura, por mbi të gjitha rikthen dinjitetin dhe historinë e një fshati që ka vendosur të rilindë. Në krye të dy viteve, pritet që Lazarati të ketë në treg të paktën 20 eksperienca turistike ,nga veshja me kostume tradicionale, shijimi i çajrave të zonës, kopshtaria, provimi i qumështit të gomaricave, ngjitjet në mal dhe aventurat off-road, tek gdhendja e drurit, ikonografia, klasat e gatimit dhe jeta në stan. Ndërkohë, aktualisht shtatë bujtina ofrojnë akomodim në fshatin më të madh të Shqipërisë, i cili ndodhet vetëm 2 kilometra larg Gjirokastrës.
Top Channel