Për Armando Brojën, dëmtimet janë kthyer në një makth të vërtetë. Sulmuesi kuqezi që aktivizohet në radhët e Burnley në Premier League angleze u aktivizua në ndeshjen ndaj Anglisë në pjesën e dytë për ta lënë fushën e lojës pas vetëm 15 minutash për shkak të një dëmtimi të pësuar me sulmuesin 24 vjecar që e la fushën e lojës me barrelë dhe mes lotësh.
Ishte një moment ky që tërhoqi vëmendjen edhe të tabloidit britanik Daily Mail që vuri në dukje dëmtimet e shpeshta të Brojës me futbollistin që për shkak të tyre ka humbur plot 80 ndeshje në karrierën e tij.
Ndërkaq tifozët nuk ngurruan t’iu drejtoheshin rrjeteve sociale që t’i jepnin mesazhe inkurajuese sulmuesit shqiptar e t’i uronin atij shërim të shpejtë. ‘Sa herë Broja dëmtohet, mendoj se edhe unë vetë ndjej dhimbje në atë pikë, ky djalë është kaq i pafat-ishte një prej mesazheve që lexoheshin në rrjetin social X.
Armando Broja ka qenë pjesë e akademisë së Tottenham përpars se të transferohej te Chelsea që e dha me huazim te Vitesse dhe Southampton nga 2020 deri në 2022. Pas mbylljes së kontratës së huazimit me Southamptonin, Broja u bë pjesë e skuadrës së parë te Chelsea me të cilin e nisi mjaft mirë sezonin përpara se të pësonte një dëmtim në ligamentet e gjurit, duke munguar për rreth 1 vit në fushat e lojës.
Pas rikthimit të tij, Broja kaloi me huazim te Everton dhe Fulham pa shënuar asnjë gol ndërkohe që edhe Burnely nuk ka mundur të bëjë një gjë të tillë. Tani pritet të mësohet shkalla e dëmtimit të radhës së sulmuesit të kombëtares që duket sikur e kanë mallkuar.
Top Channel