Punonjës, specialistë dhe inxhinierë të Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit në Qarkun e Fierit kanë kaluar në gjendje alerti pas parashikimeve për reshje gjatë ditëve në vijim.
Sipas Evarist Koliçit, inxhinier, faza e emergjencës në të cilën ka kaluar kjo drejtori synon parandalimin dhe menaxhimin në kohë të situatave me përmbytjet nga lumi Vjosa. Zona të banuara si Hambari, Kashishti dhe Pishë Poro do të jenë nën monitorim të vazhdueshëm për të parandaluar vërshimet e lumit Vjosa.
Ndërkohë, sistemi bonifikues në Fier është përmirësuar gjatë vitit të fundit falë punimeve në rrjet për hapjen dhe zhbllokimin e kanaleve kulluese, ka thënë Koliçi, çka ka bërë që qarku ynë prej vitesh të mos jetë më në hartën e zonave të përmbytura.
Në qarkun e Fierit kalojnë tre lumenj, dy prej të cilëve Vjosa dhe Semani, me prurje të konsiderueshme gjatë dimrit. Ndërkohë, Shkumbini në rrethin e Lushnjes, me gjithë sasinë e lartë të prurjeve, paraqet rrezikshmëri më të ulët përmbytjesh.
Top Channel