Lazio ‘rimerr fluturimin’, prezantohet shqiponja e re bardhekaltër…
Trajneri i Zvicrës, Murat Yakin, deklaroi para mediave se dueli ndaj Kosovës nuk duhet parë si një ndeshje “mes miqsh”, por si një përballje vendimtare për kreun e grupit.
Helvetët duhet të shmangin humbjen me rezultat të thellë për të ruajtur vendin e parë që i çon direkt në Botëror, dhe Yakin shprehet i bindur se skuadra e tij është gati për sfidën.
“Spekulimet nuk vlejnë. Gjithçka vendoset në fushë. Të dyja ekipet kanë bërë një fushatë shumë të mirë. Nuk do të mendojmë vetëm për mbrojtje. Kundërshtari do të provojë gjithçka, por mendoj se jemi mjaftueshëm të fortë dhe e kemi merituar këtë pozicion. Ekipi im njeh vetëm një drejtim”, tha Jakin.
Ai theksoi se Zvicra do të fokusohet te loja e saj dhe jo te skenarët e pafavorshëm: “Çdo gjë është e mundur në futboll, por gjithçka është në duart tona. Dua fokus, dua të luajmë futbollin tonë. Nëse e bëjmë këtë, rezultati i mirë do të vijë.”
Yakin u ndal edhe te marrëdhënia me kapitenin Granit Xhaka, duke kujtuar episodet e dy viteve më parë: “Gjithçka u ekzagjerua. Ne e kaluam atë moment së bashku. Graniti është lider i vërtetë.”
Trajneri konfirmoi se pas ndeshjes së fortë me Suedinë, skuadra është fizikisht në gjendje të mirë dhe se nuk pret ndryshime të mëdha në formacion: “Kosova luan me një sistem tjetër, por nuk duhet të përshtatemi shumë. Ata duhet të adaptohen me ne. Kam një stol të fortë dhe jemi në pozicion të mirë.”
Yakin u shpreh i prerë se emocionet e veçanta të kësaj përballjeje janë lënë pas: “Nesër nuk ka ndeshje vëllazërore. Është thjesht: Gati, nisi lojën. Ata janë të rëndësishëm në nisje dhe kanë treguar se mund të godasin shpejt. Por ne synojmë të dominojmë dhe të shënojmë.”
Ai komentoi edhe formën e disa lojtarëve: “Nuk e prisja kthimin e Xhakës në Premier League, por ai po shkëlqen me Sunderlandin. Po ashtu, Shaqiri ka statistika të jashtëzakonshme, por kemi shumë konkurrencë në atë rol.”
Trajneri rikujtoi edhe ndeshjen e kaluar kundër Kosovës, ku Zvicra shënoi katër gola, por pranoi se kundërshtari ka ndryshuar ndjeshëm: “Ata janë të dytët në grup dhe luajnë pa presion. Por ne duam të shënojmë dhe të imponojmë lojën tonë.”
Jakin e mbylli me besim: “Ekipi im dëshiron gola dhe dominim. Jemi gati për sfidën.”
Top Channel