Lufta në Ukrainë, presidenti Zelensky: Na duhet më shumë mbrojtje ajrore
Mijëra qytetarë marshuan të shtunën në Mexico City në një protestë masive kundër krimit të dhunshëm dhe qeverisë së presidentes Claudia Sheinbaum.
Sipas autoriteteve, të paktën 120 persona u plagosën gjatë përplasjeve, 100 prej tyre efektivë policie.
Protesta, e udhëhequr kryesisht nga grupime të rinjsh, u zhvillua edhe në disa qytete të tjera të vendit. Ajo mori mbështetje të gjerë nga qytetarë të revoltuar pas një serie vrasjesh të profilit të lartë, përfshirë edhe atentatin ndaj kryebashkiakut të Uruapanit, Carlos Manzo, i cili u vra më 1 nëntor gjatë një aktiviteti të “Ditës së të Vdekurve”. Manzo ishte i njohur për denoncimin e hapur të karteleve dhe kërkesat për goditje të forta ndaj tyre.
Gjatë protestës, turmat rrëzuan pjesë të barrierës që mbron Pallatin Kombëtar, ku jeton Sheinbaum. Policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës. Deri tani janë arrestuar 20 persona për akuza që variojnë nga vjedhja te dhuna fizike, bëri të ditur shefi i sigurisë së Mexico City, Pablo Vazquez.
Protestuesit mbanin banderola me mesazhe si “Të gjithë jemi Carlos Manzo”, ndërsa shumë prej tyre kishin vendosur kapele kaubojsi në nder të tij.
Nga ana e saj, presidentja Sheinbaum akuzoi politikanë të djathtë për financimin e kësaj lëvizjeje, duke deklaruar se protestat po promovohen online nga “bote” të organizuara. Megjithatë, ajo tha se mbështet të drejtën për shprehje dhe protestë paqësore, por kërkoi transparencë mbi motivet e vërteta të organizimit.
Sheinbaum, e cila gëzon mbi 70% të mbështetjes në vitin e saj të parë në detyrë dhe ka ndërmarrë hapa kundër trafikut të fentanilit, po përballet me kritika të forta për dështimin në frenimin e dhunës në vend. Ajo së fundmi është përballur edhe me tensione diplomatike, pasi Parlamenti i Perusë e shpalli “persona non grata”, pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Top Channel