Plazh në mes të nëntorit në Vlorë, qytetarët shijojnë detin dhe diellin

16/11/2025 14:37

Dielli dhe temperaturat e ngrohta vijojnë në Vlorë.

Ditët me diell dhe temperaturat e mrekullueshme kanë kthyer bregdetin e Vlorës në një terapi të vërtetë natyrore për adhuruesit e detit. Qytetarë vlonjatë, por edhe vizitorë të ardhur nga zona të ndryshme të vendit, janë parë sot duke shijuar plazhin dhe ujin e pastër të detit.

Fanatikët e notit dhe të detit nuk mungojnë as këtë periudhë, madje shumë prej tyre sfidojnë temperaturat e ujit, duke e kthyer qëndrimin në det një zakon të përditshëm.

Përgjatë gjithë vijës bregdetare, shihen pushues të moshave të ndryshme që relaksohen nën rrezet e diellit. Veçanërisht të shumta janë familjet me fëmijë, të cilat kanë shfrytëzuar motin e ngrohtë për të kaluar kohë në natyrë, duke shijuar blunë e detit dhe atmosferën e qetë që ofron qyteti bregdetar.

Temperaturat e larta për këtë periudhë kanë gjallëruar plazhin e Vlorës, duke e bërë alternativ të mirë për te kaluar fundjavën.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta