Për pesë ditë me radhë, Panairi i 28-të i Librit mirëpriti mijëra lexues, që patën mundësi të njihen me titujt e rinj dhe të bisedojnë me autorët dhe përkthyesit.
Me fluksin që u shtua gjatë fundjavës, ky edicion solli një rritje të lehtë të vizitorëve krahasuar me një vit më parë, sipas botuesve.
“Krahasuar me një vit më parë, do të thosha që këtë vit, interesi ka qenë pak më i lartë”, shprehet Kadia Dedja.
Pjesë e panairit u bënë të gjitha grupmoshat, por më shumë të rriturit.
“Më besnikët janë mosha e mesme, por edhe pensionistët që gjithmonë kanë lexuar. Por, këtu kemi edhe përplasje mes dëshirës dhe mundësisë ekonomike. Jo të gjithë kanë mundësi të blejnë libra”, thotë Petrit Ymeri.
Ndërsa te adoleshentët vihet re mungesë interesi për leximin dhe vetë botuesit pohojnë se ka pak tituj dedikuar grupmoshës 13-19 vjeç.
“Tregu nuk ka shumë libra për adoleshentët. Ata kalojnë nga letërsia për fëmijë te letërsia për të rritur”, tha për TCH Rita Petro, shkrimtare.
“Është një hallkë e shkëputur midis fëmijëve dhe të rriturve, që janë adoleshentët. Grupmosha 15-20 vjeç lexojnë jashtë mase pak, aq sa edhe ne botuesit e kemi hedhur fokusin për botimin e librave për këtë grupmoshë”, u shpreh Elda Vela, botuese.
Ndërsa Vasilika Tafa, botuese, tha se “Duhet të ndikojmë te adoleshentët që të lexojnë letërsinë klasike. Nuk mund të jesh lexues i mirë nëse nuk kalon nga letërsia klasike”.
Edhe këtë herë, veprat e përkthyera u shitën më shumë në panair se librat e autorëve shqiptarë.
“Te letërsia për të rritur vazhdojnë të kërkohen më shumë klasikët, librat e përkthyer dhe librat trend të momentit. Më shqetësojnë librat trend sepse në shumicën e rasteve janë libra flluskë sapuni”, tha Elda Vela.
Sa i takon librit shqip, kryesuan autorët e njohur që i kanë kthyer tashmë në modë botimet gjatë panairit, por nga ana tjetër u prezantuan edhe disa autorë të rinj. Por, a është shkrimtar çdokush që shkruan?
“Letërsia shqipe duhet të lexohet dhe që të lexohet, duhet që shtëpitë botuese të kenë filtra. Nëse një vepër nuk ia vlen, mos e boto. Mos krijo shkrimtarë fiktivë sepse do arrijë një moment që do të ketë më shumë shkrimtarë se lexues”, tha për Top Channel, Vasilika Tafa.
Mbyllja e Panairit rikthen vëmendjen te problematikat e librit, që duhet të gjejë rrugë për te lexuesi gjatë gjithë vitit.
Bujar Kapexhiu tha se “Në panair ka qindra e qindra njerëz që blejnë libra dhe në librari ka pak. Akoma më pak e frekuentuar është biblioteka”.
“Panairi është gjithmonë një lloj feste dhe të gjithë vijnë se e kanë kënaqësi të marrin libra të rinj. Problemi është më pas kur lexuesi të shkojë në librari. Duhet mbështetje për libraritë të kenë hapësirat e nevojshme. Ne e kemi vënë re që janë disa libra, p.sh. akademik, që librarët nuk i marrin se nuk kanë vend”, u shpreh Rita Petro, shkrimtare.
Autorët dhe botuesit kërkojnë më shumë politika për ta çuar librin pranë lexuesit.
Vasilika Tafa, botuese u shpreh “Të shtohen qendrat kulturore, të ketë biblioteka funskionale në ato rrethe ku nuk ka librari. Vijnë nga rrethet në panair dhe thonë ‘erdhëm të marrim libra se te ne ka vetëm një kancelari”.
Për Arlinda Dudaj “Bibliotekat e shkollave shpesh mbushen me libra që as nuk u hyjnë në punë, duhet të gjendet një mundësi për të afruar lexuesin e ri”.
Studiuesi Artan Fuga tregon se leximi ka rënë nga viti në vit, por arsyet përse nuk i gjen vetëm te lexuesi, por te një sërë faktorësh.
“Mendoj se midis librit dhe audiencave mungon akti i ndërmjetëm, që përbëhet nga revistat kulturore dhe letrare që na mungojnë sallonet letrare, mungon subvencionimi i librit dhe kërkimit shkencor sipas meritës.
Kanë qenë defektoze politikat kulturore dhe prandaj ka rënë leximi. Dhe fajin Adami e gjen te Eva, Eva e gjen te gjarpri, gjarpri i ndalohet të flasë dhe faji ngelet pa gjë. Jo, nuk e ka fajin teknika. Mendoj se ka edhe një rikthim, ajo që ndodh në vendet e zhvilluara, ku në një moment të caktuar ka një rikthim te mediat klasike, tradicionale”, u shpreh akademiku Artan Fuga.
“Çdo gjë e ka sfiduar librin, e kanë sfiduar rrjetet socialet, Inteligjenca Artificiale, mediat, por vendin e vet e ka të padiskutueshëm”, përfundoi Arlinda Dudaj.
Top Channel