Tetëdhjetë e katër përqind e qytetarëve europianë e duan, 352,000 italianë kanë firmosur një peticion për këtë gjë, e tani, në Itali, çështja shkon në Parlament: Ndryshimi i orës është kthyer sërish në temë të nxehtë të momentit, me gjithmonë e më shumë njerëz që shprehen kundër tij.
Në Spanjë, vetëm pak javë më parë, Kryeministri Pedro Sánchez e riktheu këtë çështje në tryezën europiane, duke e quajtur ndryshimin e orës si “krejtësisht të pakuptimtë” dhe duke e nxitur Brukselin të rihapë një diskutim që ka mbetur në vendnumëro prej vitesh.
Ky është ende një veprim paraprak, pa votim apo debat formal, por është i mjaftueshëm për ta rikthyer çështjen në qendër të axhendës, thotë Corriere della Sera. Itali, ideja e një ore që nuk ndryshon për dymbëdhjetë muaj po bën një hap përpara, e mbështetur nga shifra që premtojnë kursime dhe përfitime për mjedisin, shëndetin dhe sigurinë. Zyrtarisht, çështja paraqitet në Parlament të hënën, ku do të prezantohet kërkesa për një hetim faktmbledhës nga Komiteti i Aktiviteteve Produktive, promovuar nga shoqata mjekësore SIMA, nga një organizatë jofitimprurëse si dhe nga deputeti i LEGA-s, Andrea Barabotti.
Me atë rast, do të dorëzohen edhe 352,000 firmat e qytetarëve të mbledhura përmes peticionit online, i cili bën thirrje që ora e verës të respektohet gjatë gjithë vitit. Hetimi, nëse miratohet, do të duhet të vlerësojë në mënyrë sistematike ndikimet e masave: konsumin e energjisë, ndikimin në mjedis, shëndetin publik, sigurinë dhe zakonet sociale.
Top Channel