Moti i keq, pezullohet lundrimi i mjeteve të vogla detare për disa ditë në Vlorë

16/11/2025 21:15

Kushtet hidrometeorologjike në gjirin e Vlorës dhe në det të hapur do të përkeqësohen ndjeshëm gjatë datave 16 deri në 19 nëntor.

Sipas parashikimeve, era në drejtimin jug–juglindje do të arrijë forcën 6–7 ballë, me shpejtësi deri në 15–20 m/s dhe dallgë nga 1.5 deri në 2.5 metra.

Për këtë arsye, autoritetet detare kanë ndaluar pajisjen me leje-nisje të mjeteve të vogla lundruese dhe atyre të peshkimit që duan të operojnë brenda gjirit të Vlorës apo në det të hapur. Ndalesa hyn në fuqi nga ora 23:00 e datës 16 nëntor dhe zgjat deri më 19 nëntor, në orën 08:00.

Drejtuesit e mjeteve lundruese kërkohet të marrin masa sigurie dhe të konsiderojnë me kujdes kushtet e vështira atmosferike, ndërsa subjektet dhe institucionet detare të rrisin gadishmërinë për të shmangur çdo situatë të papritur.

Anijet e transportit ndërkombëtar do të vijojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.

Përmirësimi i kushteve në det parashikohet pas orës 08:00 të datës 19 nëntor.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta