Opinion/ A mund të thyejmë tabunë ndaj Anglisë? Statistikat thonë “jo”, por futbolli s’pyet për histori
Nga Ilir Demalia
Në hollin e qetë të Hotel Plaza-s, aty ku zhurma e hapave humbet mes mermerit dhe dritës, pata sot një takim të shkurtër, por domethënës. Tre minuta—aq pak dhe megjithatë mjaftueshëm—me Jordan Henderson, një prej kapitenëve më të dashur dhe më me ndikim në historinë e Liverpool-it.
Henderson nuk është thjesht një futbollist. Ai është një simbol i qëndrueshmërisë, i përkushtimit dhe i lidershipit që nuk bërtet, por udhëheq. Nga viti 2011 deri në 2023 mbajti fanellën e kuqe, duke regjistruar 360 ndeshje dhe 26 gola, ndërsa me fanellën e Anglisë ka 83 paraqitje e 3 gola. Por statistikat, të gjitha së bashku, nuk tregojnë dot gjithçka: nuk tregojnë momentet kur ai ngriti trofetë e Champions League, Premier League, FA Cup apo Carabao Cup; nuk tregojnë betejat e padukshme në çdo ndeshje; nuk tregojnë bustin moral të një kapiteni që për gjashtë vite mbajti shiritin në krah si amanet.
Sot luan me Brentford-in, por chapi i tij, mënyra si ecën dhe si flet, mbart ende frymën e Anfield-it.
Biseda jonë ishte e shkurtër, por e sinqertë. Nuk folëm për ndeshjen e ditës — ato janë gjëra që ndryshojnë nga java në javë. Folëm për gjendjen e Liverpool-it, për ekipin që ai e njeh më mirë se kushdo. Dhe aty, mes batutave dhe reflektimeve, iu thashë me buzëqeshje:
“Kthehu te Liverpool-i, mbledhi edhe një herë ata djem.”
Ai qeshi, me atë qetësinë tipike të një kapiteni që e di peshën e çdo fjale.
Takimi zgjati pak, por la pas një mbresë të gjatë. Sepse ka njerëz që edhe kur i takon për tre minuta, të kujtojnë pse sporti është më shumë se lojë: është lidhje, frymëzim dhe histori që vazhdojnë të shkruhen.
Top Channel