“Asnjë trokitje në qiell”, Namik Dokle promovon romanin e tij më të ri në Panairin e Librit

14/11/2025 12:50

“Asnjë trokitje në qiell” është një roman modern, kur shkrimtari Namik Dokle parashtron sfidat e jetës së përditshme, përmes personazheve të tij.

Fabula që unë kam zgjedhur është fabula e shtatë personave që rastësisht janë gjendur në një shtëpi të vetme në një fshat të braktisur. Disa janë pjesëtarë të një familjeje. Dy të tjerë janë të panjohur. Djali i familjes është vrarë në një betejë dhe ka lënë porosi të varroset në fshatin e gjyshit”, u shpreh shkrimtari, Namik Dokle.

Është dimri i ftohtë i fund dhjetorit-fillim janarit, kur protagonistët gjenden me sprovën e urisë, betejën e jetës dhe ndarjes nga jeta.

“Atyre që janë shumë të varfër i themi pabuks, ndërsa kjo është varrbukëse, që ka mbetur pa njeri. Një ditë, duke ecur në varfërinë e saj, sheh një njoftim vdekjeje dhe shkon në drekën e vakisë dhe kështu e vazhdon jetën e saj, ushqehet me drekat e të vdekurve. Personazhi im është grua, por unë njoh një burrë në Tiranë që jeton pikërisht kështu”, thotë Dokle.

“Asnjë trokitje në qiell” është një aventurë ekzistence, që vjen përmes strukturës narrative dhe kompozicionale, me një ligjërim të larmisë gjuhësore, me të gjitha ngjyrat e shqipes.

Dëshira ime ka qenë që të flas për atë që njerëzit e vuajnë sot dhe për ëndrrën e tyre. I mbetem besnik bindjes se misioni i letërsisë nuk janë heronjtë e historisë, por viktimat e historisë”, shprehet shkrimtari.

Në promovimin e librit në Panairin e Librit, studiuesi Behar Gjoka vlerësoi stilin e veçantë të rrëfimit, që dallon nga veprat e tij të mëparshme.

Ky roman është një hap tjetër i të thënit artistikisht të asaj që na shqetëson, të asaj që përjetojmë çdo ditë”, tha studiuesi Behar Gjoka.

 

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta