Kevi Muçllari është liruar, pasi arrestimi i tij u cilësua si i paligjshëm.

Gazetarja e Top Channel, Dhorjela Çule raporton se ndaj tij nuk u caktua asnjë masë.

Banori i Çërravës u përfshi në konflikt fizik me një nga këshilltarët bashkiak në Pogradec.

Pas vendimit ai dha një prononcim për gazetarët, ku tha se nuk është kriminel, ndërsa shtoi se nuk kishte për qëllim të dhunonte këshilltarin bashkiak, Engjëll Shyti.

Së pari falënderoj familjarët, miqtë dhe shokët të cilët më janë gjendur pranë në këto ditë shumë të vështira. Gjykata dha vendimin që pritej. Arrestimi im u shpall i paligjshëm sepse realisht ashtu ishte. Unë u shpreha dhe në gjykatë, unë nuk jam kriminel. Isha aty në mbrojtje të interesit të komunitetit, në mbrojtje të një kauze që ne e kemi menduar si të drejtë dhe e mendojmë si të drejtë.

Nuk ishte qëllimi im që të dhunoja dikë për shkak të detyrës. Ky ishte një vendim thellësisht i padrejtë. Kam një falënderim për gjyqtarin që mori një vendim të drejtë në raport me mua. Falënderoj banorët të cilët ishin pranë meje në këto ditë shumë të vështira, dolën protestuan sepse e kuptuan që ne po protestonim jo për të marrë diçka në këmbim por thjesht sepse atje cenoheshin interesat tona. Ishim të prekur drejtpërsëdrejti, ndaj ne duhej që ta mbronim interesin tonë me argumente dhe me fakte, ashtu siç edhe ju ishit prezent. Me thënë të drejtën, sinqerisht ishin ditë shumë të vështira. Nuk e prisja kurrë se do isha i burgosur e që do përjetoja atë tmerr që do përjetoja.”

Endri Çela, avokati i Kevi Muçllarit në një prononcim për gazetarët deklaroi: “Sapo ka përfunduar seanca gjyqësore për vleftësimin e arrestimit dhe masës së sigurisë në ngarkim të shtetasit Kevi Muçllari. Gjykata vendosi që të vlerësohet i paligjshëm arrestimi i tij dhe të mos caktohet asnjë masë sigurimi në drejtim të tij sepse në vlerësimin tërësor të gjithë situatës, gjykata arriti në konkluzionin që nuk ka asnjë dyshim të arsyeshëm për kryerjen e veprës penalë të “goditjes për shkak të detyrës” parashikuar nga neni 237 i kodit të procedurës penale. Organi i akuzës kërkoi të vlerësohej i ligjshëm arrestimi në flagrancë dhe të caktohej masa e sigurimit detyrim paraqitje. Qëndrimi jonë ishte të vlerësohej i paligjshëm arrestimi për shkak sepse nuk ishim në kushtet e goditjes për shkak të detyrës, pasi nuk kemi goditje por një shtyrje të përbashkët me personin tjetër të përfshirë në konflikt.

Së dyti kjo nuk lidhej me detyrën, pasi ka patur një shtyrje nga personi tjetër dhe më pas ka reaguar Kevi Muçllari. Ky qëndrim e bindi dhe gjykatën, shoqëruar dhe me pamjet filmike dhe arriti në konkluzion. Fillimisht Kevi ishte i ngarkuar dhe qëndrimi që mbajti në gjykatë ishte duke thënë “Unë nuk jam kriminel. Mbajta një qëndrim që e besoj, pra kam qenë në ndihmë të banorëve dhe kërkoj falje për përdorimin e një fyerje në drejtim të këshilltarëve.”

Kevi nuk ka shkuar për të përdorur elementë dhune deri në momentin kur u gjet përballë një shtyrje dhe ka reaguar i ndikuar emocionalisht për shkak të situatës së krijuar. Do vlerësojmë situatën në vazhdim. Çështja nuk është pushuar pasi organi i akuzës e ka të drejtën për apelim por deri në këtë moment procedural ky është qëndrimi i gjykatës. Secila prej palëve mund të bëjë ankim por ne s’do e bëjmë pasi u vendos ajo që kërkonim.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta