Perisiç refuzoi t’i përgjigjej pyetjes së gazetares: Më prekët familjen, nuk mund ta fal këtë
Federata Algjeriane e Futbollit ka nisur bisedimet për të bindur Ethan Mbappé, vëllain më të vogël të yllit francez Kylian Mbappé, që të përfaqësojë Algjerinë në arenën ndërkombëtare.
Sipas mediave franceze, zyrtarët algjerianë kanë kontaktuar nënën e tij, Fayza Lamari, e cila është gjithashtu menaxherja e karrierës së Ethan-it, për të diskutuar mundësinë e përfaqësimit me kombëtaren algjeriane.
Ky zhvillim vjen vetëm pak javë pasi Luca Zidane, djali i legjendës Zinedine Zidane, mori shtetësinë algjeriane dhe debutoi me përfaqësuesen e “Desert Warriors”.
Duke ndjekur strategjinë e Marokut, që ka arritur të bindë disa futbollistë me origjinë marokene të luajnë për kombëtaren e tyre, Algjeria po ndjek të njëjtin model, duke synuar të forcojë ekipin përpara Kupës së Botës 2026.
Burime të “Phenix Football” bëjnë me dije se diskutimet me Lamari janë fokusuar në mundësinë që Ethan të përfshihet në skuadrën algjeriane për Botërorin e ardhshëm.
19-vjeçari, që aktivizohet te Lille në Francë, ka këtë sezon dy gola, përfshirë një ndaj Paris Saint-Germain, duke treguar potencialin e tij në futbollin profesionist.
Ethan Mbappé mban tre shtetësi – franceze, algjeriane (nga nëna) dhe kamerunase (nga babai, Wilfried Mbappé).
Megjithatë, kjo politikë e re e federatës ka shkaktuar debat në Algjeri. Disa kritikë argumentojnë se trajneri Vladimir Petković po fokusohet tepër në futbollistë me nënshtetësi të dyfishtë, duke lënë pas dore zhvillimin e talenteve vendase.
Nëse marrëveshja finalizohet, Ethan Mbappé do të ishte emri më i bujshëm që bashkohet me këtë strategji të re të Algjerisë për të ndërtuar një skuadër konkurruese në arenën botërore.
Top Channel