Jo vetëm djalin e Zidane, kombëtarja afrikane kërkon të marrë në Botëror edhe vëllanë e vogël të Mbappe
Mesfushori i Bournemouth, Alex Scott, nuk do të debutojë sot me kombëtaren angleze, pasi është lënë jashtë skuadrës që do të përballet me Serbinë në kualifikuesen e Botërorit që zhvillohet në “Wembley”.
Trajneri Thomas Tuchel kishte të drejtë të përfshinte vetëm 23 lojtarë në listën për ndeshjen e sotme, çka e detyroi të përjashtonte dy nga kontingjenti i tij prej 25 futbollistësh. Përveç Scott, jashtë mbeti edhe kapiteni i Crystal Palace, Marc Guehi, i cili po vuan një dëmtim në kockë të pësuar gjatë lojës me klubin e tij.
Përjashtimi i Scott ishte surprizë, pasi 22-vjeçari kishte fituar vlerësime nga stafi teknik për paraqitjet e tij të mira në Premier League këtë sezon, si dhe për kontributin në suksesin e Anglisë U21 në Evropianin e zhvilluar në Sllovaki këtë verë
Scott shpreson të përfshihet në listën për ndeshjen e radhës ndaj Shqipërisë, që do të zhvillohet të dielën në Tiranë, për të realizuar ëndrrën e tij për debutim me fanellën e “Tre Luanëve”.
“Shpresoj të tregoj se çfarë di të bëj dhe të jem pjesë e ekipit në Botërorin e ardhshëm. Do të ishte një ëndërr të isha në atë avion verën e ardhshme,” – deklaroi Scott.
Ndërkohë, trajneri Tuchel konfirmoi se Guehi nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Serbisë, por mund të rikuperohet për sfidën e dytë. “Është një dëmtim i dhimbshëm, por pa dëmtime strukturore. Po punojmë që ai të jetë gati për ndeshjen e radhës,” – u shpreh tekniku gjerman.
Top Channel