Do rrëmbenin trafikantin shqiptar, ndërhyn Interpol, arreston në Gjermani katër pengmarrësit e stërvitur ushtarakisht

13/11/2025 12:39

Përplasja mes bandave shqiptare të drogës ndodh kryesisht jashtë vendit, aty ku edhe kanë shtrirë aktivitetin e tyre.

Një fakt të tillë e dëshmon Europol, Agjencia Evropiane e Policisë, e cila thotë se një ditë më parë është bërë pjesë e një operacioni policor me autoritetet gjermane, duke parandaluar pengmarrjen e kreut të një grupi kriminal shqiptar.

Kreu i kësaj bande shqiptare, emri i të cilit nuk është bërë i ditur nga Europol dyshohet se është përgjegjës për vjedhjen e disa tonelatave me kanabis, me vlerë miliona euro.

Në aksionin për të parandaluar pengmarrjen e shqiptarit, Europol thotë se pati bashkëpunim edhe me autoritetet në Danimarkë, Francë, Letoni dhe Mbretëri të Bashkuar.

“Individët që do kryenin pengmarrjen kanë qenë shumë të trajnuar dhe të pajisur me pajisje profesionale”, thuhet në deklaratë.

Gjatë aksionit janë arrestuar katër persona. Jo vetëm në këtë rast, por edhe në raste të tjera Europol thotë se sheh si problem fenomenin e dhunës si punë.

Për organizatën evropiane, ky është një trend shqetësues, i cili është edhe rezultat i luftës në Ukrainë.

Ukrainasit e trajnuar nga forcat amerikane, legjionarët dhe mercenarët rusë, të gjithë ish-ushtarë të zonave të luftës, po kthehen nga fronti dhe po i shfrytëzojnë aftësitë e tyre në këmbim të pagesave që ju ofrojnë organizatat kriminale

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta