Ankimimi i Naureda Llagamit për votimin në Gjykatën e Lartë, pse vendimi i Kushtetueses është i papërfunduar dhe nuk qartëson standardet e garës

13/11/2025 14:48

Gjykata Kushtetuese publikoi të mërkurën qëndrimet e saj për ankimimin që lidhej me procesin e përzgjedhjes së gjyqtarit të ri në Kushtetuese.

Votat e gjyqtarëve u ndanë në lidhje me kërkesën për shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Lartë që shpallnin Asim Vokshin fitues. Për shkak se nuk u arrit kuorumi prej pesë votash, kërkesa u konsiderua e rrëzuar dhe çështja mbetet pa një zgjidhje të qartë juridike.

Por vendimmarrja e djeshme tregon ndarjen e Gjykatës në dy linja të kundërta. Një grup gjyqtarësh argumenton se e drejta për të kërkuar një proces konkurues nuk është e mbrojtur nga Kushtetuta dhe se kandidati nuk ka interes ligjor për të kërkuar kontroll të rregullave apo procedurave të garës. Grupi tjetër mbron idenë se përzgjedhja e gjyqtarëve është pjesë e garancive të transparencës, meritokracisë dhe barazisë në garë, dhe se kandidati ka interes të ligjshëm për të kërkuar kontroll kushtetues në rast pretendimesh për shkelje.

Për shkak të mungesës së shumicës prej 5 gjyqtarësh si votat e nevojshme në gjykim, mbetën të hapura çështjet procedurale dhe standardet e konkurrimit.

Kandidatja Naureda Llagami kishte kërkuar shqyrtimin e procedurës pas shpalljes së rezultatit, duke theksuar se ishte cënuar parimi universal i qartësisë së vullnetit të shprehur në votim. Por pretendimet e saj nuk u trajtuan në themel. Në pamje të jashtme, palët duken sikur morën atë që kërkuan. Në realitet, vendimi nuk dha qartësi mbi procesin.

Pas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese, gjyqtari Asim Vokshi reagoi publikisht duke i cilësuar raportimet si të pabazuara dhe duke kërkuar publikimin e çdo komunikimi ndërmjet Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe Autoritetit të Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar. Me statusin si funksionar i lartë i shtetit, pozicion që paguhet nga buxheti i shtetit me taksat e shqiptarëve, lind edhe llogaridhënia, që është një detyrim themelor.

Kur gazetarët bëjnë detyrën e tyre, në funksion të transparencës publike, duke ruajtur integritetin dhe etikën profesionale, mbështetur në fakte, dokumente dhe informacione nga burime te verifikuara, nuk ka vend për viktimizim, por për qartësi. Gjyqtari Asim Vokshi shkruan se “lajmet fyese dhe denigruese kanë tejkaluar kufijtë e lirisë së medias, duke cënuar të drejtat e mia themelore”.

Përtej ndjesive personale, procesi mbetet me interes të madh publik dhe raportimet e Top Channel nuk i drejtohen Asim Vokshit si qytetar, por si anëtar i Gjykatës së Lartë dhe si kandidat për në Kushtetuese; lajme që janë bazuar në shkresa zyrtare ndërmjet organeve përgjegjëse, si Gjykata e Lartë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar.

Është ky i fundit institucioni shtetëror që me marrjen dijeni për lejimin e kandidimit të Asim Vokshit dërgon të dhëna sekrete pranë KED për bashkëpunim apo kontakte të gjyqtarit me shërbime inteligjente. Informacioni shtetëror që vë në dyshim integritetin e tij, nuk është hartuar nga Top Channel, veçse është pasqyruar, bazuar në dokumente zyrtare. Nëse Vokshi nuk bindet nga ky dokument institucional, të mbrojë të drejtën me institucionin dhe jo t’i hakërrehet lajmësit.

Në çështjet që lidhen me sigurinë kombëtare, ligji përcakton se në rast paqartësie, është institucioni i sigurisë që vlerëson rrezikun. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi nuk ka kompetencë të përcaktojë vetë se cilat elemente cenojnë apo jo sigurinë kombëtare. Kjo linjë e qartë ligjore ka udhëhequr raportimin tonë.

Siç ndodh shpesh në procese të ekspozuara, ai që godet zërin nuk ndryshon faktin, vetëm ekspozon qëllimin. Reagimet e djeshme shfaqin një klimë tensioni në një moment kur procesi duhej të sillte qartësi dhe siguri juridike. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, duke mbetur i papërfunduar, nuk adreson pyetjet që janë ngritur dhe nuk qartëson standardet e garës.

Top Channel do të vazhdojë të informojë publikun mbi bazën e dokumenteve dhe fakteve të verifikuara. Raportimi synon të garantojë që procedurat që prekin drejtësinë të jenë të kuptueshme dhe transparente për publikun. Asnjë vendim i pasigurt dhe asnjë klimë presioni nuk ndryshojnë nevojën për transparencë.

Interpretimet ndryshojnë nga dita në ditë; faktet mbeten aty ku i gjetem dhe aty ku do t’i lëmë. Detyrimi ynë është ndaj të vërtetës dhe interesit publik, dhe çdo pasqyrim i ngjarjeve që lidhen me përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese është dhe do të mbetet brenda standardeve të etikës profesionale dhe përgjegjësisë mediatike.

Top Channel do të vazhdojë të informojë publikun mbi bazën e dokumenteve dhe fakteve të verifikuara. Raportimi synon të garantojë që procedurat që prekin drejtësinë të jenë të kuptueshme dhe transparente për publikun. Asnjë vendim i pasigurt dhe asnjë klimë presioni nuk ndryshojnë nevojën për transparencë. Interpretimet ndryshojnë nga dita në ditë; faktet mbeten aty ku i gjetëm, dhe aty ku do t’i lëmë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta