Zbulohet e ardhmja e Deschamps, trajneri francez pritet t’i bashkohet lojtarëve të tij në Arabinë Saudite/ Ja kush do e zëvendësojë te “Gjelat”

12/11/2025 11:00

Shtypi francez është i fokusuar tek një çështje që prej vitesh qëndron pezull: kush do të drejtojë Francën kur Didier Deschamps të largohet?

Shumica e analistëve francezë e shohin Zinedine Zidane si pasuesin natyral të Deschamps, një skemë që duket gati e paracaktuar edhe për shkak të lidhjes së tyre si ish-shokë skuadre te Juventusi dhe Franca.

Vetë Zidane ka lënë të nënkuptohet se e ardhmja e tij do të zgjidhet “së shpejti”, duke shtuar edhe më shumë polemikat.

Megjithatë, emri i Deschamps po lidhet së fundmi edhe me një tjetër pistë: Arabia Saudite. Sipas raportimeve, Al-Ittihad – ku luajnë Kanté, Aouar, Diaby dhe Karim Benzema – ka shfaqur interes të fortë për trajnerin francez.

Gjatë konferencës së fundit për shtyp, në prag të ndeshjeve përpara Kupës së Botës, Deschamps pranoi se ka marrë telefonata nga një klub saudit.

“Kam pasur disa kontakte. Nuk do të përmend emra. Ata e dinë situatën time. Sapo të marr vendimin — dhe nuk do të tërhiqem, kjo është e sigurt — do të jem i lirë pas afateve të përcaktuara dhe nuk përjashtoj asgjë,” tha ai.

Aktualisht Al-Ittihad drejtohet nga Sergio Conceição, i cili ka kontratë dyvjeçare, por interesimi për Deschamps mbetet real.

Deschamps ka treguar se nuk e pengon fakti që disa nga yjet e Francës luajnë në ligën saudite, ç’ka sugjeron se ai e konsideron kampionatin mjaftueshëm konkurrues. Por për sa i përket të ardhmes së tij, trajneri është i prerë: çdo vendim do të merret vetëm pas Kupës së Botës 2026.

Derisa të përfundojë Botërori, çdo klub europian apo arab që synon Deschamps duhet të presë. Për momentin, fati i pankinës së Francës mbetet i hapur — me Zidane që vazhdon të shihet si pasardhësi më i mundshëm.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta