Kur do anëtarësohet Shqipëria në BE? Ambasadori Gonzato flet për hapjen e kapitujve

12/11/2025 23:00

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato ka folur në lidhje me ditën më të afërt që Shqipëria mund të bëhet vend anëtar i Evropës.

Ambasadori u shpreh në “Top Story” se Shqipëria mund t’i mbyllë negociatat në vitin 2027, por horizonti është viti 2030 sepse sipas tij, traktati i anëtarësimit është diçka që duhet të negociohet midis Bashkimit Evropian dhe vendeve kandidate, pra Shqipërisë dhe pastaj duhet të ratifikohet nga gjithë parlamentet e 27 shteteve anëtare.

Pjesë nga intervista:

Grida Duma: Në vitin 2027, mund t’i mbyllim grup-kapitujt. Cila është dita më e afërt për t’u bërë vend anëtar i Evropës?

Ambasadori: Procesi është që, pasi të mbyllni gjithë kapitujt, nisin negociatat për traktatin e anëtarësimit. Për momentin, Bashkimi Evropian është i organizuar në një mënyrë të tillë që shtetet anëtare aktuale kanë një numër të caktuar vendesh në Parlamentin Evropian, kanë një komisioner, e kështu me radhë. Pra, e gjithë kjo duhet të ndryshohet, sepse po bashkohen shtete të reja anëtare. Pra, ky traktat anëtarësimi është diçka që duhet të negociohet midis Bashkimit Evropian dhe vendeve kandidate, pra Shqipërisë. Dhe pastaj duhet të ratifikohet nga gjithë parlamentet e 27 shteteve anëtare. Pra, kjo është arsyeja pse horizonti është viti 2030, sepse nëse i përfundoni negociatat, atëherë duhet pak kohë për t’i bërë të gjitha këto dhe pastaj për t’i mundësuar Shqipërisë të bashkohet. Por, siç thamë në fillim, Shqipëria mund t’i mbyllë negociatat në vitin 2027, por do ta shohim. Ne duhet të bëjmë reformat, duhet t’i zbatojmë këto reforma, duhet të sigurohemi që këto standarde të zbatohen.

Grida Duma: Nuk po pyes për vitin 2029, në të cilin duhet të jemi shumë të kujdesshëm nëse Bashkimi Evropian mund të dalë me deklarata që do të keqinterpretohen, le të themi, të mbështesë këtë qeveri dhe pastaj të mbështesë Edi Ramën për të fituar përsëri zgjedhjet. Sepse agjenda evropiane nuk është vetëm çështje e një kryeministri, sigurisht. Por atëherë, mendoj se nëse do të kem mundësinë dhe kontaktin, do t’ju dërgoj një mesazh në Verona dhe ndoshta do t’ju pyes se çfarë parashikohet të bëjë Bashkimi Evropian kur integrimi evropian të lidhet me pasardhësin e Edi Ramës.

 Ambasadori: Do ta keni vënë re se unë gjithmonë flas për mbështetjen e Shqipërisë dhe ne do të mbështesim çdo qeveri që ka një qëllim integrimi në Bashkimin Evropian. Dhe jam i sinqertë kur e them këtë. Natyrisht, unë jam këtu, përfaqësoj Bashkimin Evropian, bashkëveproj me institucionet e Shqipërisë dhe për momentin, qeveria drejtohet nga Edi Rama dhe është një qeveri socialiste. Por rezultati i zgjedhjeve, sinqerisht, nuk na intereson. Ajo që na intereson është të sigurohemi që cilado qeveri të dalë nga zgjedhjet të jetë një qeveri pro-evropiane. Kjo është ajo që dëshirojmë. Sigurisht, kjo është një zgjedhje e popullit shqiptar. Nuk kemi çfarë të bëjmë për këtë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta