Një konkurs me vetëm një kandidat. Në garën për drejtuesin e ri të sistemit arsimor parauniversitar në Shqipëri, fituesi duket se ishte i paracaktuar.
Në ditën kur arkitektja Arta Dollani u lirua nga detyra e kreut të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, ajo duhet të zhvillonte testimin me shkrim dhe intervistën në Ministrinë e Arsimit; por duke qenë e bindur për rezultatin.
Edhe kriteret e thirrjes për vakancën në Agjencinë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar lehtësonin procesin për të mos pasur kundërshtarë, pasi kandidati pretendent duhet të kishte të paktën 10 vite përvojë në drejtim të institucioneve të administratës publike. Eksperiencë që nuk i mungon Dollanit, e cila ka shërbyer edhe si drejtoreshë e trashëgimisë kulturore në kohën kur ministre e kulturës ishte Mirela Kumbaro. Ky rast nxjerr në pah se kur ministrat ndërrojnë profilin por jo statusin, marrin edhe besnikët e tyre me vete, edhe pse në fusha krejt të ndryshme.
“Qasja e ministrave për të marrë me vete ekipin personal e dëmton institucionin dhe forcon pozitën e ministrit duke demotivuar stafet teknike. Edhe shembulli i fundit i drejtueses së përgjithshme të sistemit arsimor parauniversitar që vjen nga mjedisi. Bëhet edhe në kushtet e mungesës së garës dhe në thelb shkatërron meritokracinë”, u shpreh Migen Qiraxhi.
Por modeli i Mirela Kumbaros që kaloi nga Kultura, te Mjedisi e më pas në Ministrinë e arsimit, me stafin e ngushtë të saj nuk është unik. Njësoj ka vepruar edhe paraardhësja e saj Ogerta Manastirliu që i besoi drejtimin e arsimit në Tiranë ish drejtoreshës së kujdesit shëndetësor; ndonëse rregullorja ka kusht pasjen e të paktën kategorisë “mësues i kualifikuar”.
“Edhe Manastirliu me marrjen e Ministrisë së Arsimit dhe lënien e Ministrisë së Shëndetësisë një seri drejtorësh emigruan nga sistemi shëndetësor drejt arsimit dhe kjo pamundëson rritjen hierarkike apo të bëjë karrierë një mësues”, tha Qiraxhi.
Ndërrimet e vazhdueshme në drejtim institucional sipas ekspertëve ndikojnë drejtpërsëdrejti në cilësinë e shkollave në vend me politika arsimore që nuk janë të qëndrueshme.
“Humbje të vazhdimësisë institucionale me fillimin e punës gjithmonë nga e para. I shkaktojnë një stres dhe tension të madh punonjësve ku fillimisht ata duhet të mësojnë drejtuesin e ri në situatën në të cilën ndodhet drejtoria, edhe jo të kenë një drejtor që ua njeh sfidat!”, u shpreh ai.
Ndryshimet në udhëheqjen e Ministrisë së arsimit kanë qenë me një mesatare kohëzgjatje gati çdo dy vjet ministër i ri.
Top Channel