Zjarr i qëllimshëm në një mobilieri në Vlorë, digjet kati i parë i objektit/ Pronari i biznesit: Hera e dytë që ndodh, s’kam asnjë konflikt me askënd

11/11/2025 09:40

Një zjarr i qëllimshëm ka përfshirë në orët e para të mëngjesit një mobilieri në lagjen “28 Nëntori”.

Sipas burimeve policore, rreth orës 03:00 të mëngjesit, një person i maskuar është filmuar nga kamerat e sigurisë teksa i afrohet objektit, thyen xhamin e derës me një çekiç dhe më pas, duke përdorur një bidon të mbushur me benzinë, i vë flakën mobilierisë.

Autori më pas është larguar me shpejtësi nga vendngjarja.

Flakët janë vënë re nga një fqinj, i cili ka njoftuar menjëherë pronarin e biznesit, Eduart Aliko. Ky i fundit ka mbërritur në vendngjarje vetëm pak minuta më pas dhe ka parë se kati i parë i mobilierisë ishte përfshirë tërësisht nga zjarri.

Në vend kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve, megjithatë dëmet materiale janë të konsiderueshme.

Policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Pamjet e kamerave të sigurisë janë sekuestruar si provë materiale.

Vetë pronari i mobilierisë, Eduart Aliko, në një prononcim për mediat është shprehur se nuk ka konflikte personale dhe se është një njeri paqësor.

“Nuk kam asnjë konflikt me askënd. As me konkurrencën nuk besoj të kem probleme. Ia lë drejtësisë ta zbardhë këtë ngjarje dhe të kapë autorin”, është shprehur Aliko.

Kjo është e dyta herë që i vendosin zjarr në mobilierinë e tij, dëmi kësaj radhe ka qenë 3 milion lekë të reja, herën e parë 5 milion lekë të reja.

Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta