Takimi historik me Trumpin, Siria i bashkohet koalicionit të udhëhequr nga SHBA për të luftuar ISIS-in
Pas një dite të gjatë debatesh në Capitol Hill, Senati amerikan miratoi një masë për rihapjen e qeverisë federale, duke i dhënë fund një mbylljeje 41-ditore që preku miliona punonjës.
Republikanët arritën të sigurojnë 60 votat e nevojshme, duke kaluar pragun për miratim dhe duke hapur rrugën që projektligji të kalojë në Dhomën e Përfaqësuesve.
Seanca nisi në orën 11:00 me kohën lokale dhe përfundoi pas rreth 10 orësh diskutimesh të gjata. Në momentin e shpalljes së rezultatit, në sallën pothuajse të zbrazët u dëgjuan brohoritje dhe duartrokitje nga senatorët që kishin qëndruar deri në fund.
Senatorja republikane Susan Collins, e cila luajti një rol kyç në arritjen e kompromisit, deklaroi se “qeveria do të rihapet dhe punonjësit federalë do të marrin kompensimin që e meritojnë”.
Ndërsa shumica e senatorëve ishin larguar për të kapur fluturimet e tyre jashtë qytetit pas një fundjave të ngarkuar pune, disa – përfshirë udhëheqësin e shumicës John Thune – qëndruan për të ndjekur procesin deri në fund.
Masa u miratua me mbështetjen e republikanëve dhe tetë demokratëve, të cilët argumentuan se zgjatja e mbylljes po dëmtonte rëndë ekonominë dhe jetën e qytetarëve.
Megjithatë, disa senatorë demokratë votuan kundër, mes tyre Corey Booker dhe Jeff Merkley, duke theksuar se partia e tyre duhej të kishte qëndruar më e vendosur përballë republikanëve dhe administratës Trump, sidomos në çështjet e kujdesit shëndetësor.
Miratimi i Senatit pritet të sjellë lehtësim për miliona punonjës federalë që do të rikthehen në punë dhe do të marrin pagesat e prapambetura. Projektligji do të kalojë tani në Dhomën e Përfaqësuesve, e cila pritet ta shqyrtojë të mërkurën.
Top Channel