Udhëhoqi rebelët për të rrëzuar regjimin e al-Assad, presidenti i ri sirian pritet në Shtëpinë e Bardhë nga Trump/ Takimi i parë i dy vendeve pas 25 vitesh

10/11/2025 20:41

Presidenti amerikan Donald Trump priti të hënën në Shtëpinë e Bardhë presidentin sirian Ahmad al-Sharaa, duke e mirëpritur zyrtarisht shtetin që dikur ishte i përjashtuar nga diplomacia ndërkombëtare, në një koalicion global të udhëhequr nga SHBA për të luftuar grupin Shteti Islamik (ISIS).

Al-Sharaa mbërriti në mëngjes dhe zhvilloi takimin e tij me presidentin Trump në Zyrën Ovale. Kreu sirian hyri në ndërtesë përmes West Executive Avenue, ngjitur me Shtëpinë e Bardhë, rrugë hyrëse që rrallë përdoret për vizita të nivelit të lartë. Pas rreth dy orësh, ai u largua nga ndërtesa, duke përshëndetur një grup mbështetësish të mbledhur jashtë, përpara se të hipte në autokolonën zyrtare.

Kjo vizitë shënoi herën e parë që një president sirian viziton Shtëpinë e Bardhë që nga pavarësia e Sirisë nga Franca në vitin 1946. Takimi vjen në vazhdën e heqjes së sanksioneve ndaj Damaskut, pas përfundimit të dekadave të regjimit të familjes Assad.

Al-Sharaa, i cili udhëhoqi forcat rebele që rrëzuan nga pushteti Bashar al-Assad në dhjetor të kaluar, u emërua president i përkohshëm i vendit në janar. Ai është një figurë kontradiktore në skenën ndërkombëtare, dikur i lidhur me grupin al-Kaida, për kokën e të cilit SHBA kishte shpallur një shpërblim prej 10 milionë dollarësh.

Trump dhe al-Sharaa ishin takuar për herë të parë në maj, gjatë një samiti në Arabinë Saudite. Në atë kohë, presidenti amerikan e përshkroi udhëheqësin sirian si “një djalë të ri dhe të fortë, me një të kaluar të ashpër, por luftëtar të vendosur.”

Ky ishte takimi i parë zyrtar midis SHBA-së dhe Sirisë që nga viti 2000, kur presidenti amerikan Bill Clinton zhvilloi një takim historik me Hafez al-Assad, babain e Bashar Assadit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta