Arrestimi i 27-vjeçarit pas sherrit në Bashki, banorët mblidhen jashtë komisariatit të Pogradecit në shenjë proteste: Mbrojti interesin publik
Një ngjarje e rëndë është shënuar këtë të hënë në ambientet e Bashkisë së Pogradecit, ku gjatë një mbledhjeje të Këshillit Bashkiak me prezencë të qytetarëve, një 27-vjeçar ka sulmuar fizikisht një prej anëtarëve të këshillit.
Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin Kevi Muçllari, 27 vjeç, banues në Pogradec, i dyshuar për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur më 10.11.2025, rreth orës 14:25. Muçllari fillimisht ka debatuar dhe ka ofenduar anëtarët e Këshillit Bashkiak, ndërsa më pas ka goditur me grusht anëtarin e këshillit, shtetasin E. Sh., 47 vjeç.
Në njoftimin e policisë thuhet:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, shtetasin Kevi Muçllari, 27 vjeç, banues në Pogradec.
Më datë 10.11.2025, rreth orës 14:25, në ambientet e Bashkisë Pogradec, gjatë zhvillimit të një mbledhjeje nga Këshilli Bashkiak me prezencën e qytetarëve, ky shtetas fillimisht ka debatuar dhe ofenduar anëtarët e Këshillit Bashkiak, dhe më pas ka ushtruar dhunë fizike ndaj shtetasit E. Sh., 47 vjeç, anëtar i Këshillit Bashkiak, duke e goditur me grusht.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Top Channel