Nisja e punimeve për ndërtimin e një kulle 35-katëshe në qendër të qytetit i dhuroi Shkodrës disa ditë të ngarkuara me tension dhe përplasje mes Myftinisë, Bashkisë dhe Policisë.
Myftinia e Shkodrës pretendon se trualli ku po ngrihet kulla i përket asaj, dhe menjëherë pas nisjes së punimeve vendosi në trotuarin pranë xhamisë “Ebu Beker” një tabelë me një thënie profetike kundër grabitjes së pronës.
Por mesditën e së enjtes, forcat e policisë bashkiake dhe punonjës të Bashkisë Shkodër, mes përplasjeve me besimtarë, e hoqën tabelën. Në njoftimin zyrtar të Bashkisë thuhej se “aksioni për lirimin e hapësirave publike” ishte zhvilluar në të gjithë qytetin, ndërsa theksohej se nuk do të tolerohej askush që shkel ligjin.
Vetëm pak orë më pas, Myftinia reagoi duke vendosur sërish të njëjtën thënie profetike, kësaj here në një tabelë shumë më të madhe, brenda oborrit të xhamisë, përballë kullës që po ndërtohet. Si kundërpërgjigje, mbrëmjen e së dielës, nën masa të shtuara sigurie, policia e shtetit ndërhyri në oborrin e xhamisë dhe hoqi edhe tabelën e dytë, ndërsa forcat e policisë bashkiake qëndruan më në distancë. Pas këtij veprimi, Myftinia reagoi ashpër, duke e cilësuar ndërhyrjen si “dhunim të vendit të shenjtë” dhe paralajmëroi padi në organet kompetente, me mesazhin se “hijet e së shkuarës duhet të mbeten në histori”.
Megjithatë, pas kësaj klime tensioni, situata mori një kthesë tjetër. Paraditen e së hënës, Kryemyftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, u prit në Bashki nga kryebashkiaku Benet Beci. Në përfundim të takimit, dy palët dhanë sinjale për zbutje të situatës, për Kryemyftiun nuk ka asgjë të pazgjidhshme, ndërsa kryebashkiaku në një postim në rrjetet sociale vlerësoi bashkëpunimin me Sytarin, ndërsa theksoi se dy institucionet janë bashkë për të përcjellë mesazhe bashkimi e zhvillimi.
Top Channel