Një 36-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim për prodhim dhe shitje të narkotikëve është kapur këtë të hënë në Tiranë.
Ndaj shtetasit me iniciale V. B., 36 vjeç, Prokuroria pranë Gjykatës së Vlorës i ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”. 36-vjeçari iu dorëzua DVP Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. F., 19 vjeç, pasi dyshohet se, për motive të dobëta, ka kanosur shtetasin L. Sh.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2:
•arrestuan shtetasin S. B., 27 vjeç, pasi u konstatua jashtë banese, në shkelje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”;
•referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. T. dhe B. M., pasi dyshohet se, për motive të dobëta, kanë goditur me grushte njëri-tjetrin.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasin E. M., 34 vjeç, pasi u konstatua jashtë banese, në shkelje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4:
•referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Xh. H., pasi në lokalin që menaxhon dyshohet se ka prishur qetësinë publike duke gjeneruar muzikë me volum të lartë;
•referuan materialet dhe shpallën në kërkim shtetasit I. D. dhe F. D., pasi dyshohet se, për motive të dobëta, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë goditur me grushte shtetasin J. M. Punohet për shoqërimin e dy shtetasve të shpallur në kërkim.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 ndaluan shtetasin në kërkim A. G., 34 vjeç, pasi ka përndjekur dhe kanosur ish-vjehrrin e tij dhe familjarët e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 ndaluan shtetasin R. V., 28 vjeç, si dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. H., 36 vjeç, pasi dyshohet se shtetasi R. V. ka vjedhur një motomjet elektrik të shtetasit J. J. dhe më pas ia ka shitur shtetasit E. H. Motomjeti elektrik u gjet dhe u sekuestrua në banesën e shtetasit E. H.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë arrestuan shtetasin A. Rr., 37 vjeç, pasi automjeti që dyshohet se e drejtonte në gjendje të dehur është përplasur me automjetin e Policisë, me drejtues punonjësin e Policisë O. K. Nga përplasja pati vetëm dëme materiale.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasit:
•L. M., 41 vjeç, pasi automjeti që dyshohet se e drejtonte në gjendje të dehur është përplasur me një automjet të parkuar;
•Q. H., 24 vjeç, pasi dyshohet se drejtonte automjetin nën efektin e lëndëve narkotike.
Më datë 09.11.2025, shtetasi Ç. S. kallëzoi se është goditur me grusht nga një shtetas ende i paidentifikuar, i cili më pas i ka marrë një shumë të vogël parash.Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Me datë 10.11.2025, rreth orës 00:10, në fshatin Vishnje, ka rënë zjarr dhe janë djegur pjesërisht 2 automjete të shtetasit A. A, të parkuara ngjitur me njëra-tjetrën. Grupi hetimor vijon punën për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel