Shkatërrohet rrjeti i trafikut të drogës në Itali/ Arrestohen 20 persona, gratë përdoreshin si “kavie” për të testuar kokainën
Masakra që ndodhi së fundmi në fshatin Vorizia në Kretë ka rikthyer në fokus çështjen e armëve dhe të drejtës për vetëmbrojtje në Greqi.
Ngjarja me dy të vdekur dhe 5 të plagosur që tronditi komunitetin lokal, rezultoi me arrestimin e disa personave dhe ngritjen e akuzave ndaj tre të dyshuarve. Autoritetet gjetën armë dhe fishekë në vendstrehime të lidhura me incidentin, ndërsa janë ende në zhvillim procedurat gjyqësore.
Ngjarjet e dhunshme nxorën në pah shqetësime për praninë e armëve, ligjshmërinë e tyre dhe mentalitetin e vjetruar të hakmarrjeve, i cili ende ekziston në disa zona rurale të Kretës.
Në planin politik, çështja e armëve u bë menjëherë objekt polemike. Në fillim kreu i partisë «Zgjidhja Greke», Kyriakos Velopoulos, ka propozuar lehtësimin e aksesit te armët ligjore në shtëpi, duke e prezantuar këtë si mjet për vetëmbrojtje dhe mbrojtje të familjes. Kjo linjë politike është ritheksuar nga ai në fjalimet e fundit, duke e lidhur me nevojën për siguri individuale dhe familjare.
Por edhe ministri i Shëndetësisë dhe zv/kryetari i Demokracisë së Re, Adonis Georgiadis, ka shprehur publikisht mbështetje për “modelin amerikan” të armëmbajtjes, duke theksuar se i pëlqen ideja e vetëmbrojtjes dhe se mbështet armët me leje për mbrojtje personale. Ai sqaroi se kjo është pikëpamja e tij personale dhe nuk pasqyron politikën zyrtare të qeverisë, duke theksuar se situata në Kretë, ku armët shpesh janë të paligjshme, është një problem krejt tjetër.
Qeveria greke, përmes zëdhënësit Pavlos Marinakis, u distancua sot nga këto opinione personale, duke deklaruar se fjalët e ministrit Georgiadis janë “opinione personale” dhe se qëndrimi zyrtar i ekzekutivit përcaktohet nga ministri i Mbrojtjes së Qytetarit, Mihalis Chrysochoidis, i cili ka theksuar nevojën për trajtimin e armëve të paligjshme brenda kuadrit ligjor. Marinakis nënvizoi se qeveria është “e qartë” mbi këtë çështje dhe se nuk mbështet normalizimin e armatimit të qytetarëve.
Analistët dhe partitë e majta kanë reaguar me shqetësim, duke paralajmëruar se normalizimi i diskursit pro-armatimit me leje pas një masakre lokale mund të rrezikojë sigurinë publike dhe të favorizojë një kulturë ku “liria” lidhet me armatimin individual. Ky debat që tashmë po pasqyrohet edhe në media, po polarizon opinionin publik grek.
Top Channel