Hapen 10 nga 116 kuti në Berat, kryeson kandidati i PS me 1314 vota
Pas publikimit të lajmit se kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i ka fshehur Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) informacionet se gjyqtari Asim Vokshi ka qenë informator ose agjent i shërbimeve të inteligjencës, ka reaguar ky i fundit.
Në një deklaratë publike në rrjetet sociale, gjyqtari Vokshi e ka cilësuar raportimin si “fake news” dhe si një përpjekje për të “njollosur procedurën ligjore dhe produktin e saj”. Ai shkruan se beson fort në procedurat ligjore dhe se çdo hap i ndjekur gjatë procesit ka qenë në përputhje me ligjin dhe rregullat në fuqi.
Vokshi i ka quajtur pretendimet “shpifje” dhe “përbaltje”, duke theksuar se do të ndjekë rrugët ligjore për mbrojtjen e reputacionit dhe integritetit të tij profesional.
“Kam heshtur deri tani, pasi kam besuar dhe besoj ende fort tek procedurat ligjore, por kjo e sotmja jo vetëm që përbën një lajm fals, haluçinant dhe përbaltës, por edhe nxjerr në pah interesa malinje që i janë kundërvënë këtij procesi korrekt”, ka shkruar ndër të tjera gjyqtari Vokshi.
Në vijim të reagimit, ai shprehet se është i tronditur nga ajo që e cilëson si shpifje dhe thekson se do të ndjekë çdo procedurë për zbardhjen e plotë të çështjes.
Top Channel thekson se raportimi është mbështetur në dokumente zyrtare dhe burime të verifikuara pranë institucioneve përkatëse. Çdo informacion është trajtuar me kujdes dhe në përputhje me standardet profesionale të verifikimit gazetaresk.
Raportimi për çështje që lidhen me funksionimin e institucioneve të drejtësisë nuk ka karakter personal dhe bazohet në parimin e transparencës dhe të drejtës së publikut për t’u informuar.
Top Channel do të vijojë ndjekjen e kësaj çështjeje dhe do të publikojë çdo dokument që ndihmon në sqarimin e plotë të fakteve
Top Channel