Një ditë përpara balotazhit të së dielës, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, diskutimet u kthyen në një përplasje të hapur, me anëtarin e VV-së, Sami Kurteshi, që u përplas me përafqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës, duke i akuzuar ata se “e kanë sjellë” në Kosovë atë që njihet si “treni bullgar”.
“Treni bullgar në Republikën e Kosovës është instaluar nga PDK-ja. PDK tani po përdor trenin Kosovar përmes keqpërdorimit të votave me asistencë”, u ankua Kurteshi. Sipas tij, tek kutia e votimit duhet të jetë vetëm një person, pavarësisht rrethanave në të cilat gjendet.
“Qëllimi është votimi me asistencë që synon vjedhjen e votave dhe imponimin e votës pa dinjitet, që shkel dinjitetin, kryesisht të vajzave. Çdo votë me asistencë në Kosovë është korrupsion dhe vjedhje. Treni bullgar në Kosovë është i instaluar nga PDK. PDK e ka zbuluar trenin bullgar në Kosovë, tani po e përdorin trenin kosovar me vjedhje të hapur me votimin me asistencë. Ti ke qenë kundër nxjerrjes së statistikave për votimin me asistencë. Nuk shkon kështu.”
Ndërkohë, anëtari i PDK-së, Arianti Elshani, insistoi se statistikat dhe analizat për këtë çështje janë miratuar dhe ligji aktual e trajton ndryshe.
“Statistikat i kemi, kemi të miratuara edhe analizat e votimit me asistencë në zgjedhjet lokale të vitit 2021, për zgjedhjet e 2019-ës edhe për zgjedhjet e 2017-ës. A ka qenë ligji ndryshe? Ka qenë ligji ndryshe. Ka parashikuar votimin për ata që nuk dinë shkrim dhe lexim në mënyrë specifike. Sot ligji është më ndryshe, është miratuar nga të gjitha partitë politike.”
Një tjetër anëtar i PDK-së, Ilir Gashi, e ftoi më pas prokurorinë që të hetojë çështjen.
Top Channel