Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në një intervistë për mediat vendase iu referuar zhvillimeve të fundit rreth qeverisë së re, mandatin e krijimit të së cilës e ka marrë Glauk Konjufca.
Kryeministri në detyrë lëshoi një lloj paralajmërimi të nënkuptuar, duke thënë se nëse nuk votohet Konjufca, do të ketë zgjedhje të reja në dhjetor të këtij viti. Por nëse sipas tij, Qeveria Konjufca 1 arrin të krijohet, atëherë zgjedhjet e reja do të jenë në prill, kur edhe do të duhet të zgjidhet presidenti i ri.
“Opozita e ka në dorë që ta zgjedh rrugën e mëtejshme. Ose Kurti 2.5 drejt zgjedhjeve në dhjetor, ose Konjufca 1 drejt zgjedhjeve në prill. Secila prej tyre, për ne është e pranueshme”, ishte komenti i tij. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, megjithë kundërshtimin e partive të deritashme opozitare, mandatoi në orët e vona të së martës zyrtarisht Konjufcën nga Lëvizja Vetëvendosje për ta formuar Qeverinë e re të Kosovës.
Konjufca pason si të mandatuar Kurtin, pasi ky i fundit nuk arriti të krijonte mazhorancën parlamentare për ta bërë qeverinë. Glauk Konjufca, sipas Kushtetutës, nga momenti i marrjës së mandatit ka afat 15 ditë për t’i prezantuar Kuvendit përbërjen e re të ekzekutivit që duhet të marrë mbështetjen e të paktën 61 deputetëve për t’u zgjedhur kryeministër.
Top Channel