“Rritja e pagës minimale do të vazhdojë deri në fund të mandatit”/ Rama në podcastin “Flasim”: Do të arrijë në 700 euro

07/11/2025 09:41

Kryeministri EdI Rama e nisi podcastin e tij “Flasim” me rritjen e pagës minimale, deri në fund të mandatit të partisë Socialiste.

Ai u shpreh se paga minimale do të arrijë deri 700 euro, teksa u ndal edhe tek kostot e sigurimeve për të punësuarit në sektorin privat.

“Kjo javë ka pasur disa momente kyçe të rëndësishme për t’u nënvizuar. Së pari kemi çuar në Kuvendin e Shqipërisë projekt buxhetin e vitit 2026, një projekt buxhet ku kryefjala janë pensionet.  Ashtu siç u zotuam në zgjedhje, ky mandat do të jetë mandati i rritjes së përvitshme të pensioneve. Pensionistët tanë përveçse do të marrin këtë dhjetor, bonusin e plotë të fundvitit, duke filluar nga janari, do të kenë një rritje tani më të shtrirë muaj për muaj, bazuar mbi logjikën e bonusit për mbi indeksimin e përvitshëm, natyrisht.

Sipas kategorive, ky moment do të jetë një moment që do të vazhdojë vit pas viti dhe pensioni do të rritet duke shkuar dhe duke u përputhur me objektivat ambicioze të vendosura dhe të shpallura gjatë fushatës elektorale. Konkretisht, pensioni urban me vitet e plota të punës do të shkoj në 40 mijë lekë të reja nga 27.350 që është sot. Pensioni urban i pjesshëm do të shkojë mesatarisht në 22 mijë lekë të reja nga 15,850 lekë, që është sot. Pensioni rural do të shkojë në 18 mijë lekë të reja nga 11.500, që është sot. Pensioni familjar do të shkojë në 18 mijë lekë të reja nga 11.400 që është sot. Ndërsa pensioni i invaliditetit do të shkojë në 30 mijë lekë të reja nga 20 mijë që është sot.

Dhe për të qenë konkret, përsa i përket vitit që vjen, nga janari i 2026 pensionet do të rriten çdo muaj, si vijon, dhe e përsëris këtu nuk hyn indeksimi vjetor, që do të jetë një gjë tjetër dhe do të vazhdojë normalisht vit pas viti. Pensioni urban në vitet e plota të punës do të rritet me 1800 lekë të reja; Pensioni urban i pjesshëm do të rritet me 800 lekë të reja; Pensioni rural do të rritet me 1000 lekë të reja; Pensioni familjar me 700 lekë të reja; Dhe pensioni i invaliditetit me 600 lekë të reja.

Tani, në vitet në vijim, projeksioni financiar dhe i dakordësuar në të gjithë procesin e buxhetimit do të jetë me shifra të dyfishuara për secilën kategori në 2027, të trefishuara në 2028, të katërfishuara në 2029 dhe pastaj të pesëfishuara në 2030, që do të thotë që vlera e zotuar do të jetë një vlerë e realizuar në respekt të 83 mandateve që na janë dhënë, pikërisht duke besuar se ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi.

Projekt buxheti 2026 ka dhe një rritje të rëndësishme të zotuar në procesin e fushatës zgjedhore dhe të zbatuar nga 1 Janari 2026, kur do të rritet paga minimale për 307.850 punonjës të regjistruar në shtet apo në privat, që do të marrin 500 euro.

Rritja e pagës minimale në 500 euro, që do të thotë me ligj, askush nuk do të ketë një pagë më të ulët se kaq në Republikën e Shqipërisë, nuk do të jetë rritja e fundit e pagës minimale, por vetëm e para, sepse gjatë mandatit të katërt paga minimale do të arrijë, siç e kemi premtuar, në 700 euro. Dhe jo vetëm kaq, por siç e kemi premtuar, qeveria do të subvencionojë për 9 muajt e parë me 90 milionë euro, edhe shtesën e kostos së sigurimeve për të punësuarit në sektorin privat, që e përsëris do të kenë një pagë minimale 500 euro.

Po ashtu rritja e re e pagave e përshkon projekt buxhetin 2026 për 10600 punonjës, shërbimi, sanitare, shoferë, teknikë, protokollistë, arkivistë, magazinierë, që do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale me 10 mijë lekë të reja në muaj, ndërkohë që për specialistët e administratës publike rritet 5 mijë lekë të reja në muaj, për mësuesit rritet 3 mijë lekë të reja më shumë në muaj, për herë të parë në sektorin e shëndetësisë do të ketë përveç indeksimit vjetor dhe më lejoni ta theksoj që për herë të parë për të gjithë punonjësit në sektorin publik do të hyjë praktika e indeksimit vjetor të pagës në bazë të inflacionit, ndërsa në sektorin e shtetësisë, përveç këtij indeksimi, do të fillojë llogaritja e vjetërsisë në punë, që do të thotë në terma konkretë që paga mesatare për mjekët e përgjithshëm nga 131,700 lekë do të shkojë në 143,500 lekë të reja në muaj.

Për mjekët në spitale nga 174,000 lekë do të shkojë në 186,000 lekë të reja në muaj. Për infermierët nga 87 mijë lekë në 92,500 në muaj. Dhe po ashtu shumë e rëndësishme për punonjës të policisë shtetit, përveç indeksimit, do të ketë rritje për vjetërsinë në punë, e cila për gradat më të ulëta përkthehet në një rritje mesatare me 5 mijë lekë të reja në muaj. E thënë ndryshe për një punonjës me vjetërsi mesatare 15 vjet, sipas gradave pagat rriten si më poshtë: Për inspektorët e thjeshtë nga 80.500 lekë të reja në 84,500 lekë të reja, plus shtesa për kushtet e punës dhe ushqimit, që çon pagën mesatarisht në 100 mijë lekë të reja.

Për nënkomisarët, paga do të rritet në 101 mijë lekë të reja, që me shtesën për kushte e punës dhe po ashtu për ushqimin shkon në 116 mijë lekë të reja. Për komisarët, paga do të rritet në 110,600 lekë të reja dhe për shtesën në funksion të kushteve të punës dhe plus ushqimin do të shkojë në 125,600 lekë të reja. Dhe për drejtuesit e thjeshtë paga do të shkojë në 141,450 lekë të reja dhe po ashtu me shtesën do të shkojë në 156,450 lekë të reja. Është një rritje tjetër reale, sepse këta jemi ne, ky jam unë, kjo është Partia Socialiste e Shqipërisë”, kështu deklaroi kryeministri Rama.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta