Vdes në moshën 97-vjeçare James Watson, shkencëtari që zbuloi ADN dhe deshifroi kodin e jetës
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë akuzuar Iranin për një komplot për të vrarë ambasadoren izraelite në Meksikë, Einat Kranz-Neiger, në atë që konsiderohet një përpjekje për të zhvendosur konfliktin rajonal në një tjetër pjesë të botës.
Sipas”The Guardian” një zyrtar amerikan kishte deklaruar se Forca elitare Quds e Gardës Revolucionare iraniane kishte nisur komplotin që në fund të vitit 2024, por ai u pengua gjatë vitit 2025. Komploti dyshohet të ketë përfshirë rekrutimin e operativëve nga ambasada e Iranit në Venezuelë, ku presidenti Nicolás Maduro ka një aleancë taktike me Teheranin. Zyrtari theksoi se komploti u përmbajt dhe nuk përbën kërcënim aktual, duke e cilësuar atë si pjesë të një historie më të gjerë të Iranit për të shënjestruar diplomatët dhe gazetarë.
Hetimi për këtë komplot vjen pas disa sulmeve dhe operacioneve izraelite kundër objektivave të Iranit dhe aleatëve të tij. Më 1 prill 2024, Izraeli sulmoi kompleksin e ambasadës iraniane në Damask, Siri, duke vrarë disa oficerë të Gardës Revolucionare. Ky sulm çoi në kërcënime për hakmarrje nga Irani, i cili sulmoi Izraelin me raketa dhe dronë. Më vonë, Izraeli dhe SHBA-ja zhvilluan një fushatë më të gjerë bombardimesh ndaj Iranit, duke synuar programin bërthamor të vendit.
Irani mbetet një mbështetës kryesor i Hamasit, grupit militant palestinez në Gaza, i cili kreu sulmin më 7 tetor 2023. Izraeli ka reaguar me një ofensivë ushtarake të gjerë, duke goditur Gaza-n dhe duke shtrirë operacionet kundër Iranit, Sirisë, Libanit, Katarit dhe Jemenit.
Inteligjenca izraelite ka akuzuar Forcën Quds për komplot kundër objektivave izraelite dhe hebraike jashtë vendit. Në këtë kontekst, Australia ka dëbuar ambasadorin iranian për përfshirjen e supozuar në sulme ndaj një sinagoge në Melbourne dhe një restoranti kosher në Sydney.
Irani, megjithëse mbart një komunitet historik hebre, mbetet armik i qeverisë izraelite. Meksika, që ka një komunitet të madh hebre, ka mbajtur një qëndrim më të kujdesshëm ndaj konfliktit në Gaza, duke mbështetur hetime për pretendime të krimeve të luftës, por duke ruajtur marrëdhëniet diplomatike me Izraelin.
Top Channel