Debati për barazinë gjinore/ Argumentet pro dhe kundër, çfarë përcakton ligji i ri që përfshiu edhe ndërkombëtarët

07/11/2025 19:33

Ndryshimet në ligjin për barazinë gjinore krijuan debat, jo vetëm në territorin shqiptar por përfshinë edhe ndërkombëtarët.

Diskutimi nëse miratimi i projektligjit ishte në të mirë apo në dëm të familjes vazhdon ende.

“Shqiptarët e shohin mashkullin dhe femrën, familjen tradicionale si themel e qelizën e shoqërisë”, është shprehur Linda Pano.

“Ata që përmendin traditën si një gjë të pandryshueshme, nuk e dinë që po të mos kishim sfiduar traditën, motrat tona, vajzat tona nuk do të shkolloheshin”, deklaroi Suela Lala.

Dy qëndrimet që ndajnë shoqërinë sollën edhe tre drafte të projektligjit të barazisë gjinore, ku përplasjet u përqendruan më së shumti në përshkrimin e gjinisë. Versioni i pari i Ministrisë së Shëndetësisë e përkufizonte gjininë si “Gra dhe burra që nënkupton edhe vajza dhe djem”, me rishikimin gjatë konsultimin publik u propozua nga Aleanca LGBTI zgjerimi i konceptit përtej binaritetit duke e reflektuar si “Gjini”, sipas këtij ligji ka kuptim gjithëpërfshirës në përputhje me parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit lidhur me identitetin dhe shprehjen gjinore”.

Pas debateve në komisionet parlamentare, mazhoranca e fshiu përshkrimin e dytë edhe e miratoi në versionin përfundimtar ‘gjini nënkupton rolet e ndërtuara në kontekstin social, sjelljet, aktivitetet dhe atributetet që një shoqëri e caktuar i konsideron të përshtatshme për gratë dhe burrat.

“Nuk ka ndryshuar asgjë. Mjafton përkufizimi i gjinisë, ato terma ishin shtesë. Është hequr termi “gjini gjithëpërfshirëse.Po por është lënë shprehje gjinore, edhe definicioni është si ti ndihesh pavarësisht seksit”, tha Pano.

“Ligji i ri për barazinë gjinore detyron institucionet, shkollat, mediat e çdo subjekt të përdor gjuhë me ndjeshmëri gjinore dhe gjithëpërfshirëse si mjet për të ndaluar steriotipet, diskriminimin dhe seksizmin në hapësirën publike. Gjithashtu ligji vendos theksin te edukimi gjinor si pjesë e detyrueshme e kurrikulave shkollore”, tha Ines Leskaj nga rrjeti i fuqizimit të grave në Greqi.

Votimi i ligjit të ri nga socialistët që u përgëzua nga aktivistët e të drejtave të njeriut, ndezi pakënaqësinë e ‘Koalicionit për familjen dhe jetën’ të cilët deklarojnë se do e kundërshtojnë në Gkykatë Kushtetuese. Por në një konferencë për shtyp, në emër të mazhorancës, deputetja Iris Luarasi shpjegoi se lejimi i më shumë se dy gjinive nuk është i vërtetë dhe kjo do të ndodhte nëse gjithëpërfshirja kërkohej në ligjin e gjendjes civile.

“Narrativa që po legalizohen 70 gjini në Shqipëri është një gënjeshtër e qëllimshme, pasi nuk krijon kurrsesi asnjë gjini të re, veçse synon të garantojë barazi reale midis burrave dhe grave”, tha Iris Luarasi.

“Nuk është e vërtetë që ne qëndrojmë në dy gjini, sepse mënyra si është definuar gjinia, hap rrugën për më shumë se dy gjini”, deklaroi Pano.

“Duke qenë grua me aftësi të kufizuar unë jam dy herë e margjinalizuar dhe e izoluar në shoqëri. Kjo është përkatësia e shumëfishtë, të kesh më shumë identitete që të vënë në cep të shoqërisë që të përjashtojnë dhe këtë përpiqet të adresojë ligji”, u shpreh Lala.

Ideja se përmes këtij ligji po promovohet idelogjia gjinore, vlerësohet e gabuar edhe nga hartuesit të cilët argumentojnë se ai mbron çdo individ nga diskriminimi dhe nuk imponon asnjë identitet. Prej debatit një apo më shumë gjini, janë lënë në hije risitë e ligjit që njohin kujdesin për shtëpinë apo fëmijët, e punën në bujqësi si vlerësim pune të papaguar si dhe shtimin e nëpunësit të barazisë gjinore në institucionet publike.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta