Akuza për gjenocid në Gaza, Turqia lëshon urdhërarreste për kryministrin Netanyahu dhe 36 të tjerë

07/11/2025 19:02

Prokuroria e Përgjithshme e Stambollit lëshoi të premten urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe 36 persona të tjerë, nën akuzën për gjenocid, lidhur me operacionet ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës.

Urdhrat e arrestit përfshijnë zyrtarë të lartë izraelitë, mes tyre ministrin e Mbrojtjes Israel Katz, ministrin e Sigurisë Kombëtare Itamar Ben Gvir, ministrin e Kufijve dhe Sigurisë Eyal Zamir, si dhe komandantin e Forcave Detare David Saar Salama.

Hetimi fokusohet në atë që autoritetet turke e përshkruajnë si dhunë sistematike ndaj civilëve në Gaza. Prokuroria ka përmendur disa ngjarje konkrete që datojnë nga tetori 2023, përfshirë sulmin ndaj Spitalit Al-Ahli Baptist më 17 tetor 2023 dhe dëmtimin e Spitalit Ebli Baptist më 21 tetor 2023, që shkaktuan viktima civile të shumta.

Në dosje përfshihet gjithashtu vrasja e punonjësve të organizatës humanitare “World Central Kitchen” më 1 prill 2024, gjatë misioneve të ndihmës. Akuzat bazohen në pretendime se forcat izraelite kanë targetuar qëllimisht civilët dhe infrastrukturën, duke bllokuar ndihmën humanitare dhe qasjen në shërbime mjekësore.

Prokurorët përmendin gjithashtu deklaratat e lëshuara nga “Sumud Flotilla”, e cila kishte tentuar të dërgonte ndihma në Gaza përmes rrugëve detare. Hetimi nisi pas disa ankesave të paraqitura në gjykatat e Stambollit më 4, 7, 9 dhe 10 tetor 2025 dhe u zhvillua në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Turqisë.

Prokuroria theksoi se urdhrat e arrestit janë lëshuar sipas procedurave ligjore në fuqi, duke përshkruar veprimet e pretenduara si krime kundër njerëzimit që kërkojnë hetim të vazhdueshëm.

Turqia ka qenë ndër kritikët më të ashpër të fushatës ushtarake të Izraelit në Gaza, e cila nisi pas sulmeve të Hamasit në jug të Izraelit në tetor 2023. Në vazhdën e konfliktit, qeveria turke ka pezulluar marrëdhëniet diplomatike dhe tregtare me Izraelin.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta